Oda Amerikane mbështet Osmanin, kërkon nga Qeveria heqjen e tarifës për SHBA-në

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që të miratojë një aranzhim të njëanshëm preferencial tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hequr tarifat doganore për produktet amerikane.
“Oda Amerikane mirëpret dhe mbështet fuqishëm deklaratën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila i bëri jehonë thirrjes sonë duke kërkuar pezullimin e të gjitha tarifave për mallrat amerikane. Kjo thirrje thekson rëndësinë strategjike të thellimit të lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara. Siç është thënë në deklaratën e djeshme të Odës Amerikane, një veprim i tillë do të ishte një hap i rëndësishëm, largpamës që tregon zotimin e Kosovës për tregti të lirë dhe të ndershme, duke e pozicionuar gjithashtu Kosovën drejt një marrëdhënie më të fortë tregtare dhe konsiderimin e mundshëm të një Marrëveshje për Tregti të Lirë në të ardhmen. Partneriteti disavjeçar me Shtetet e Bashkuara – si aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës – duhet të përkthehet në vendime të guximshme e në momente të duhura politike.”, thuhet në njoftimin e Odës Amerikane.
“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se nismat që synojnë avancimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, veçanërisht ato të bazuara në argumente të shëndosha ekonomike dhe vlera të përbashkëta, nuk duhet të bëhen objekt i polemikave të brendshme politike. Përkundrazi, ato kërkojnë unitet dhe veprim të shpejtë institucional, prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë që të fokusohet në politikat që forcojnë partneritetin global dhe të ardhmen ekonomike të Kosovës.”, përfundon reagimi.
Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo kërkesë e Osmanit vjen pas vendimit të Administratës Trump për vendosje të tarifës 10% për të gjitha importet në SHBA, përfshirë edhe Kosovën./21Media