Numri i të punësuarve shqiptarë në Dogana në RMV, Kaba: Do të rritet mbi 25%

Nga gjithsej 1186 të punësuar në Doganat e Maqedonisë, 24,4% e të punësuarve janë shqiptarë, por zëvendësdrejtori Garip Kaba siguron se përqindja do të rritet, në harmonizim me përqindjen e shqiptarëve në Maqedoni.
“Pavarësisht që Balancuesi nuk është si normë ligjore tani, ne përfshirjen adekuate në kuadër të statistikave numerike në bazë të numrit të përgjithshëm të popullatës shqiptare në RMV ne do të jemi të përfshirë konform numrit të popullatës këtu në RMV, d.m.th. jam i sigurt se mbi 25% nuk do të jetë i diskutueshëm”, tha Kaba në Daily Click.
Kaba tha se nga dy ndihmësdrejtorë shqiptarë saç kanë qenë, tani janë tre, atë në sektorin tekniko-organizativ për administratë, në sektorin juridik dhe sektorin për përgjegjësi profesionale. Ai po ashtu shprehet se është rritur numri i shqiptarëve që janë në pozita të drejtuese. Është ruajtur pozita shef dogane në terminalin doganor të Tetovës në pikën kufitare të Jazhincës, ndërsa drejtues shqiptarë janë edhe shefi i doganës në Strugë, në pikën kufitare “Bllato” në Dibër, në aeroportin e Ohrit dhe drejtuesin e terminalit doganor në Kumanovë.
– Nga ajo që po thoni, jeni munduar që t’i ruani por edhe t’i përforconi pozicionet, kështu e thanë…
-Po. -D.m.th. është rritur numri i shefave të sektorëve shqiptarë apo është zvogëluar? -Është rritur, dhe unë edhe me fakte mund t’i them, ne kemi tre inspektorët kryesorë, në sektorë të veçantë, që janë një rritje kualitative ku përfaqësohemi me personal profesional nëpërmjet doganierëve që janë të angazhuar në sektorë të veçantë, për investigim dhe kontroll apo për hetime.
I pyetur se si ndodhi që Doganat vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2024 arriti të grumbullojë 1 miliard euro, ndërsa këtë vit, në janar dhe shkurt, janë mbledhur mbi 14 milionë euro më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit 2024, Kaba tha se kjo ka ardhur falë kontrolleve më të rrepta por edhe me rritja e tarifave për mallra të caktuar. /TV21