Nuk më besoi askush, flet njeriu që parashikoi “shpërthimin” e Majlinda Kelmendit

Anton Cena është pjesëtar i Policisë së Kosovës por njëkohësisht edhe trajner i xhudos.

Lidhja e tij me sportin e xhudos është jashtëzakonisht e ngushtë saqë ai e sheh atë edhe si mënyrë jetese.

Megjithëse është 61-vjeçar, Cena tregon se për shkak të marrjes me këtë sport ai nuk ka qenë kurrë në jetën e tij, i sëmurë, e madje as nuk ka përdorur kurrë medikamente mjekësore.

“Përfitimet shëndetësore mund të nisem nga vetja ime. Personalisht kurrë në jetë nuk kam qenë i sëmurë, deri më tani në Policinë e Kosovës nuk e kam asnjë ditë pushim si i sëmurë, kam pasur lëndime të ndryshme të cilat janë të paevitueshme, mirëpo i sëmurë sa i përket shëndetit nuk kam qenë kurrë dhe kurrë në jetën time për 61 vjet nuk kam marrë medikamente, do të thotë jam 365 ditë top”, tha Cena.

Cena tregon se si sportin e xhudos tashmë e ka futur edhe brenda institucionit të Policisë së Kosovës, aty kur tashmë e ka krijuar një klub.

“Nuk është hapur vetëm një klub, janë hapur tetë klube në Policinë e Kosovës e njëri ndër ta është edhe klubi i xhudos ‘Policia e Kosovës’. Po e presin përfundimin e palestrës dhe së shpejti do të fillojmë me anëtarësimin e nxënësve të rinj, do të thotë fëmijë të policëve e të qytetarëve në klubin e xhudos ‘Policia e Kosovës’ i cili shpresoj të jetë i mirëseardhur për qytetin e Prishtinës, sepse është dashur të fillojmë në zemrën e Prishtinës…Duhet t’i rrisim së pari kuadrot dhe pastaj në bazë të zhvillimit dhe aftësive të tyre ata do të transferohen në Pejë”, thekson Cena.

Sukseset më të mëdha në sport deri më tani Kosova i ka arritur në xhudo duke fituar shumë medalje elitare në kampionate evropiane dhe botërore.

Duke folur Cena zbulon se cili është çelësi i të gjitha këtyre sukseseve.

“Çelësi i suksesit është zinxhiri, nuk është vetëm trajneri Driton Kuka, tani është edhe kolosja e xhudos Majlinda Kelmendi e cila është bërë dora e djathtë e Dritonit, pastaj e ka dorën e majtë, Fatosin, e ka trajnerin brazilian i cili ka ardhur dhe është plotësuar me kapacitete sa i përket trajnerëve dhe një hov jashtëzakonisht të madh do ta bëjë në të ardhmen, hovin edhe më të madh që e ka pasur më herët. Shumë janë skeptik, por unë besoj që në olimpiadën e ardhshme do të kemi edhe fytyra të tjera më arritjen e rezultateve apo medaljeve në olimpiadën e ardhshme”, deklaron Cena.

Ai vlerëson lart punën e trajnerit Driton Kuka pa kontributin e të cilit Cena thotë se Kosova do ta ketë shumë vështirë në të ardhmen nëse Kuka vendos të mos jetë më aktiv si trajner.

“Unë ka folur me atë dhe i kam thënë që derisa të të funksionojë zemra mos dil nga tatami. Përndryshe, Kosova do ta ketë shumë vështirë pa atë. Dorën në zemër pa atë shumë vështirë e ka për arsye se, nuk po e them unë këtë, por po e them mendimin e shumë trajnerëve evropianë dhe botërorë me të cilët kam komunikim të rregullt që kanë thënë se është shumë problem për ta zëvendësuar dhe shumë problem të ngrihet një trajner të kapacitetit apo të nivelit të tillë si Dritoni”, shton Cena.

Fjalë të zgjedhura e me shumë lëvdata Cena ka edhe për medalisten olimpike Majlinda Kelmendin.

Talentin e madh të saj ai thotë se e vërejti që kur e pa në moshën 15-vjeçare.

“Majlinda Kelmendi ka qenë në moshën 15 vjeçare kur unë kam thënë se do të bëhet kolose e xhudos. Kanë qenë në Shqipëri kryetarët e të gjitha federatave të sportit të Kosovës në një mbledhje me Komitetin Olimpik të Shqipërisë dhe aty ka qenë Majlinda Kelmendi 15 apo 16-vjeçare dhe unë iu kam thënë të gjithëve që Majlinda do ta bëjë bumin më të madh që ekziston në botë sa i përket rezultateve. Më kanë thënë të gjithë ‘mos i ngut sepse i ka vetëm 15 vite’. Pas dy vitesh është bërë në Paris kampione e botës për junior, do të thotë në moshën 17-vjeçare ajo ka shpërthyer sepse te ajo është parë talenti, vullneti, durimi, përkushtimi dhe disiplina. Unë mendoj që është xhudistja më e disiplinuar në botë”, thekson Cena.

Cena i bën thirrje Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport ta rrisë vlerën e shpërblimeve për xhudistet që sjellin medalje nga garat evropiane dhe botërore. Ai ka thënë se derisa në Kosovë një medalje e artë olimpike shpërblehet me 100 mijë euro, në vendet tjera ky shpërblim shkon deri në një milion euro.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Test

Please consider supporting us by disabling your ad blocker