Nuk ka vullnet politik për formimin e Qeverisë së re!

Ndonëse kanë kaluar me shumë se dy muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve, partitë politike ende nuk kanë filluar zyrtarisht bisedimet për formimin e Qeverisë së re. Zyrtarët e partisë fituese Vetëvendosje thonë se po presin deri në certifikimin e rezultateve zgjedhore, duke mohuar zërat se mungesa e numrave mund të jetë arsyeja e kësaj zvarritje.
“Në lidhje me këtë çështje, besoj se vlen ajo që ka thënë kryeministri. Pra, fillimisht do të presim përfundimin e procesit të numërimit, certifikimin e rezultateve, konstituimin e Kuvendit dhe më pas mund të flasim për formimin e qeverisë’’.
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami, akuzoi LVV-në për zvarritje të qëllimshme të krijimit të Qeverisë së re. Sipas tij, në mungesë të votave të nevojshme, LVV po mundohet që të blejë kohë.
‘’Zvarritja e krijimit të institucioneve nga LVV-ja i ka dy qëllime: së pari nuk i ka numrat për krijimin e Qeverisë kjo është strategji për të blerë kohë. Së dyti ai i frikësohet krijimit të Qeverisë meqë gjeopolitika ka ndryshuar shumë dhe ai i frikësohet presionit të madh Amerikan që mund të vijë sepse Kurti nuk është i gatshëm që të adresoj këto sfida gjeopolitike në të cilat gjendemi. Kosova është e izoluar, Kosova është nën sanksione të BE-së, Kosova ka një përkeqësim të marrëdhënieve me SHBA-të. Ai mundohet t’i ikë të gjitha këtyre sfidave duke krijuar drama të reja dhe duke kërkuar që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen njejtë me zgjedhjet lokale’’.
Deputeti Behrami duke folur mbi mundësitë e bashkëpunimit me subjektet politike për krijimin e Qeverisë tha se PDK mbështet diskutimet për harmonizimin e programit me partitë që ishin deri tash në opozitë duke përjashtuar LVV-në për bashkëpunim.
‘’Ju i keni dëgjuar edhe deklaratat e kryetari të PDK-së Memli Krasniqi dhe kandidatit për kryeministër Bedri Hamza që ne kemi dallime shumë të mëdha ideologjike me LVV-në dhe nuk është asgjë që neve na lidh, prandaj orientimi i PDK-së është kah opozita. Tashmë komunikimi ka filluar e patëm një takim të zotit Hamza dhe Lumir Abdixhikur, besoj se ky komunikim do të vazhdoj. Jam në besim të plotë se mund ta krijojmë një Qeveri e cila përbëhet nga opozita, nga partitë politike që kanë një trashëgimi në çalimin e Kosovës mbi të gjitha në shtendërtimin e Kosovës’, tha Behrami për rtv21
Ndonëse disa deputetë të zgjedhur të LDK-së, siç ishte Anton Quni i cili i ka thënë televizionin tonë se nuk ka vija të kuqe për bashkëpunim me Vetëvendosjes dhe partitë e tjera për krijimin e Qeverisë së re nëse zbatohet programi qeverisës i LDK-së, kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Adbixhiku, gjatë një takimi me qytetarët e Podujevës ka lënë të kuptohet se si parti e tretë do të qëndroj në opozitë.
‘’Shumë lehtë është me ardhë me rrejtë votuesin gjatë fushatës, e pas fushatës me i ndërrua krejt fjalët e me ju thënë hajde shihemi pas katër viteve, unë nuk po dua me bë këtë. Po dua me respektua votuesin për ato fjalë që i kemi thënë”.
Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” kujton kohën kur Vetëvendosjes në zgjedhjet e vitit 2021 që kishte fituar mbi 50 për qind të votave kishin filluar negociatat me partitë politike për formimin e Qeverisë pa e pritur certifikimin e rezultateve zgjedhore. Sipas tij, LVV-ja si parti fituese nuk ka vullnet për ta formuar Qeverinë e re.
‘’Ajo që po shihet është se nuk ka vullnet politik për ta udhëheq Qeverinë e re. Së pari edhe vet LVV-ja si fituese e këtyre zgjedhjeve nuk ka vullnet për ta formuar shumicën e re parlamentare. Pavarësisht procedurave të certifikimit të rezultateve, sikur ajo të kishte vullnet siç e kemi parë edhe në të kaluarën pas përfundimit të zgjedhjeve do të kontaktotne partnerët eventual dhe që nuk po e shohim se po ndodh sot’’.
Kamberi e quan fatkeqësi mungesën e guximit të liderëve të subjekteve politike të cilët hezitojnë të marrin guximin për krijimin e Qeverisë së re. Sipas tij, qytetarët me votën e tyre e kanë nxjerrë një rezultat që mund të ketë kombinime midis partive politike.
‘’Mund të jenë dy elemente që po zvarrisin krijimin e institucioneve: Mungesa e guximit politik dhe kalkulimet partiake personale të politikës së tyre. Kjo është fatkeqësi sepse numrat ekzistojnë për çfarë do lloj Qeverie, çoftë për ta bërë partia që ka fitua zgjedhjet, çoftë opozita, çoftë për ta bërë një bashkëpunim një Qeveri që do të përfshiheshin dy nga tri partitë e mëdha. Sovrani ka fol ditën e zgjedhjeve tash duhet të merren përgjegjësi dhe jo të përdoret një politik e strucit”.
Vetëvendosje ka thënë se pas certifikimit të zgjedhjeve i takon asaj si parti fituese të vendos kushte për bashkëpunim me partitë e tjera./RTV21/21Media