Nuk e trajtoi për afër 12 vjet, prokurori thotë se nuk i kujtohet rasti
Besnik Krasniqi, dyshohej se kishte plagosur me pushkë 60-vjeçarin H.B në vitin 2008.
Pas afër dy muajsh, atij i ishte ndërprerë masa e paraburgimit me kërkesën e prokurorit. Kjo me arsyet se familjet ishin pajtuar mes vete dhe nuk kishte më rrezik të ikjes, dhe nuk ka më ndonjë pretekst racional për të përfunduar veprën penale të tentim vrasjes.
Gjithashtu, thuhej se janë ndërprerë edhe shkaqet tjera, si ndikimi në dëshmitarë, pasi Prokuroria thuhet se kishte marrë deklaratat e tyre.
“Nuk e di këtu, kjo me të vërtetë është për me u çuditë, këta njerëz qysh munden me arritë kështu. Ky rast ka qenë faktikisht vrasje në tentativë dhe për një vrasje në tentativë një person mos me mbajtë burg as dy muaj ditë, kjo është absurde. Nuk e di çfarë drejtësie është kjo edhe ka është tu shku ky vend”, ka thënë B.B., djali i të plagosurit.
Djali i tani të ndjerit, thotë se familjet ishin pajtuar, për t’ia lënë në dorë drejtësisë.
“Po, babai im nuk ka dashtë me vazhdu me hasmëri kështu ta quajmë, ia ka falë, është dalë kështu me njerëz edhe ia ka falë, por nuk do të thotë kështu tash që ia ka falë baba këtë rast, duhet me ia falë edhe gjyqësia ose drejtësia në këtë rast”, ka shtuar ai.
Ndërsa, avokati i të akuzuarit thotë se kontaktin e fundit me drejtësinë, i mbrojturi i tij e kishte pasur më 2008.
“Po, i mbrojturi im kontaktin e fundit që ka pas me Prokurorinë e Shtetit ka qenë më 2008, e ka dhënë deklarimin e vet, pavarësisht asaj që ka qenë edhe laik, e ka dhënë deklarimin e vet dhe kur u ftua në vitin 2021, ai në njëfarë forme s’e ka ditë as për çka po shkon, tek kur jemi shku në gjykatë bashkë e kemi kuptu për çfarë rasti, tu mendu që ka përfundu e u mbyll a. Nuk ka pas njohuri fare se çka ka ndodhë me rastin. I mbrojturi im, atëherë e ka kuptu që rasti i 2008 hala s’u kry”, është shprehur avokati Naser Sopjani.
Ky rast, për 11 vjet, 9 muaj e dy ditë nuk ishte trajtuar më, derisa prokurori kishte dalë në pension. Prokurori Tunuzliu është pensionuar më 7 qershor 2019, pra ka pasur në dispozicion 11 vjet, katër muaj e katër ditë për ta kryer ketë rast.
Se pse e kishte lënë këtë rast në sirtar, prokurori Tunuzliu thotë se nuk i kujtohet rasti.
“Oj çikë, unë që 5 vjet jam në pension. Kurgjo nuk di. Absolutisht kurgjo”, ka thënë ai përmes telefonit./Betimipërdrejtësi