“Nuk e bëj për para, muzika është terapia ime”, Dafina mbrohet nga kritikat për performancat gjatë shtatzënisë
Pasi mori kritika për performancat e saj gjatë shtatzënisë, këngëtarja e njohur shqiptare, Dafina Zeqiri, ka reaguar publikisht ndaj tyre.
Ajo përmes një postimi në Instastory ka sqaruar arsyen pse po i vazhdon aktivitetet e saj muzikore.
“Unë jam shtatzënë dhe vazhdoj të performoj në koncerte, sepse kjo është arsyeja përse e kam nisur këtë rrugëtim që në fillimet e mia. Që nga fëmijëria, performanca dhe muzika kanë qenë terapi për mua – më kanë ndihmuar të përballem me depresionin, të shprehem lirshëm dhe të përballoj sfidat e jetës, qofshin ato emocionale apo fizike. Edhe kur nuk jam ndier mirë, skena ka qenë vendi im i shërimit”, thuhet në reagimin e Dafinës.
Ajo më tej ka thënë se muzika është pasioni i saj, si dhe ka dalë kundër paragjykimeve duke thënë se një grua shtatzënë nuk është e sëmurë.
“E bëj këtë punë jo për para, por nga dashuria e pastër për muzikën dhe artin. Besoj se çdo grua ka të drejtën dhe fuqinë të vazhdojë karrierën e saj gjatë shtatzënisë, për sa kohë është e shëndetshme dhe ka një shtatzëni të sigurt. Të jesh shtatzënë nuk do të thotë se je e sëmurë apo se duhet të ndalosh jetën tënde”, ka shtuar ajo.
Sipas Dafinës këto paragjykime më shumë vijnë nga burrat të cilët siç ka thënë ajo nuk e kuptojnë forcën e jashtëzakonshme të grave.
“Fatkeqësisht, disa njerëz – sidomos disa burra – nuk e kuptojnë këtë dhe ndoshta edhe ndjejnë një lloj xhelozie.
Ata vazhdojnë të punojnë e të ndjekin qëllimet e tyre, dhe një grua mund të bëjë të njëjtën gjë, madje edhe më shumë. Gratë kanë një forcë të jashtëzakonshme: ato mund të vazhdojnë përpara pavarësisht ndryshimeve hormonale, shtimit në peshë apo netëve pa gjumë. Dhe unë jam një dëshmi e kësaj fuqie”, përfundoi Dafina.
Ky reagim i saj ka marrë mbështetje të madhe nga fansat dhe kolegët e saj, të cilët kanë vlerësuar qëndrimin e saj të fortë dhe mesazhin frymëzues për të gjitha gratë që ndjekin pasionin e tyre pavarësisht sfidave të jetës./21Media