Një rrugë në Tiranë merr emrin e Remzi Hoxhës

Një rrugë në Tiranë ka marrë emrin e Remzi Hoxhës, sipërmarrësit të njohur që u rrëmbye në vitin 1995, ngjarje e cila vijon të mbetet e pazbardhur. Në ceremoninë e mbajtur në tarracën e Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kjo ngjarje është një brengë në ndërgjegjen e kryeqytetit dhe në emër të qytetit të Tiranës i kërkoi ndjesë publike familjes së Remzi Hoxhës, i cili u zhduk nga SHIK-u në kohën kur President ishte Sali Berisha.

“Për shumë prej nesh, je djalë simbol i vendosmërisë për gjetjen e së vërtetës për humbjen e babait. Jam vërtet krenar për ty dhe për gjithë punën që ke bërë këto vite, për të mbajtur gjallë atë pikëpyetje të madhe, atë shpresë të madhe, atë kërkesë të madhe, misionin tënd për të sjellë të vërtetën aty ku e vërteta u mbyt, për të sjellë dritë aty ku pati terr. Ky është një rast i pazakontë, pasi kryeqyteti po nderon dikë që e ka brengë në ndërgjegjen e tij. Pra, do të nderojë dhe përjetësojë dikë që e ka vrarë Tirana politike. Ky është rasti kur Tirana do të stampojë në kujtesën e saj, nevojën për reflektim që ka shoqëria jonë, e cila duhet të fiksojë në kujtesën e kryeqytetit jo vetëm heroizmat, arritjet apo njerëzit që e kanë bërë krenar, por edhe ato gjëra, si ky rast, që na ka bërë të ulim kokën. Rasti i Remzi Hoxhës është fiks një rast i tillë. Ai ishte një sipërmarrës i njohur në Kosovë dhe Maqedoninë e asaj kohe të viteve 90-të, i cili kishte sytë, mendjen dhe zemrën vetëm nga Shqipëria. Investoi qysh me ardhjen e demokracisë në disa projekte modeste në Tiranë e më pas vendosi të hapë një biznes të qëndrueshëm”, tha Veliaj.

Ai vlerësoi rolin e Remzi Hoxhës për përballjen me regjimin gjenocidal të Beogradit në Kosovë. Veliaj theksoi se emërtimi i rrugës me emrin e Remzi Hoxhës, është një dëshmi se qyteti ka fuqi të pranojë gabimet e veta.

“Rezmi Hoxha u bë, për pak vite, ‘strumbullari’, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale, i përballjes së shoqërisë së Kosovës me regjimin gjenocidal të Beogradit, dhe e spostoi veprimtarinë e tij në Shqipëri. Këtë e bëjmë për t’i dëshmuar vetes sonë se një qytet i ndriçuar kulturalisht, si Tirana e 2024-ës, ka fuqi të pranojë gabimet e veta dhe të përjetësojë kujtimin e asaj ngjarje të dhimbshme, sipas motos që krimet të cilat harrohen janë të destinuara të përsëriten. Autorët e këtij krimi shtetëror, nuk dolën kurrë para drejtësisë në mënyrë të qartë për t’u dënuar. Ata që e vranë Remzi Hoxhën nuk fshehën vetëm trupin e tij, por fshehën edhe një të vërtetë të madhe, që do të jetë brenga e gjithë gjeneratës tonë. Një pjesë të së vërtetës tentuan ta fshehin dhe me procesin gjyqësor që u pa se ishte një farsë. Më pas disa nga autorët vdiqën, disa u arratisën pa gjurmë e të tjerë presin të përballen me drejtësinë majë ballkonit apo penxherës së tyre, por ndërkohë tashmë historia ua ka bërë gjykimin e tyre si vrasës”, deklaroi Veliaj.

Remzi Hoxha, ishte një biznesmen dhe aktivist për çështjen etnike shqiptare në Kosovë, por u largua në Shqipëri për t’i shpëtuar persekutimit nga regjimi jugosllav. Më 21 tetor 1995, ndodhi tragjedia. Ai u rrëmbye në qendër të Tiranës dhe ndonëse ka kaluar më shumë se çerek shekulli, rrethanat e zhdukjes së tij mbeten të paqarta.

Lajmet Një rrugë në Tiranë merr emrin e Remzi Hoxhës >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>