Nis viti i ri shkollor me më pak nxënës
350 mijë nxënës të arsimit parauniversitar kanë nisur sot vitin e ri shkollor.
Rreth 238 mijë nxënës i përkasin ciklit 9-vjecar, prej të cilëve rreth 28 mijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Edhe këtë vit numri i nxënësve është në rënie.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin shkollor 2024-2025 janë 20 mijë nxënës më pak, ose 7.8% krahasuar me vitin 2023-2024 , ku 258 mijë nxënës ndoqën arsimin 9-vjeçar.
Nga viti 2014 deri në vitin 2024, numri i fëmijëve në ciklin 9-vjeçar ka pësuar rënie me 34.5%, ose 125 mijë më pak.
Presidenti Bajram Begaj ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë nxënësit ndërsa shton se “një brez që sot përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë.”
“Urimet më të mira dhe suksese të gjithë nxënësve e mësuesve që nisin sot vitin e ri shkollor! Në veçanti, urime nxënësve të klasave të para që fillojnë maratonën e gjatë, sfiduese, por edhe shpërblyese të dijes. Një brez që sot përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë”, shkroi presidenti.
Kurse kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, shoqëruar me një video, ka shkruar se urimi i tij shkon veçanërisht për nxënësit e klasave të para, që ulen për herë të parë në bankat e institucioneve arsimore.
Po ashtu, urimi i kryeministrit Rama shkon edhe për mësuesit dhe prindërit e fëmijëve.
“MIRËMËNGJES dhe me urimin për të gjithë nxënësit, veçanërisht për ata të klasave të para që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës, mësuesit dhe prindërit, për një vit të mbarë shkollor, ju uroj një javë të bukur”, thuhet në mesazhin e Ramës.
Lajmet Nis viti i ri shkollor me më pak nxënës >> Rahoveci INFO.