Nis gjyqi për statutin e PD, këtë herë Basha kundër Bardhit

Ka nisur sot seanca gjyqësore në Gjykatën e Tiranës, në lidhje me kërkesën e PD-së për të regjistruar ndryshimet statutore që u bënë në Kuvendin Kombëtar të kësaj partie, që u mbajt më 2 shtator të këtij viti.
Çështja në fjalë, shqyrtohet nga gjykatësi Niko Rapi, ndërkohë, palë në këtë proces është dhe Rithemelimi, pasi ka kërkuar që gjykata të mos e regjistrojë statutin e ri të kryedemokratit Lulzim Basha pa u shqyrtuar çështja në themel.
Përfaqësues të Partisë Demokratike në shqyrtimin e sotëm në Gjykatën e Tiranës janë Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa, Gazment Bardhi përfaqësohet nga Marash Logu e Redi Rama, ndërsa Rithemelimi i drejtuar nga Sali Berisha përfaqësohet nga Çlirim Gjata dhe Franc Nuri.
Grupi i Rithemelimin kërkoi pezullimin e zgjedhjeve të Bashës dhe ndryshimeve statutore të bëra në 2 shtator, me arsyetimin se nuk mund të regjistrohen pa u zgjidhur më parë çështja se kujt i takon vula.
Kjo e fundit është një tjetër çështje pezull dhe gjykimi është në dorë të Gjykatës së Lartë.
Ndërkaq gjatë fjalës së tij përfaqësuesi ligjor i Bashës, Indrit Sefa kërkoi mosnjohjen online të Këshillit Kombëtar të PD-së në datën 27 shtator.
Pjesë nga diskutimet në seancën gjyqësore
Sefa: Kemi dyshime së Këshilli Kombëtar i datës 27 i mbledhur online nuk është mbledhur kurrë…
Gjykata: Nuk është kjo objekt i gjykimit tonë.
Sefa: Ne kemi dyshime të arsyeshme se në dosje mungon dokumentacioni i nevojshëm për të legjitimuar procesin. Ne na rezulton që mos të jetë mbledhur Këshilli Kombëtar, pasi nuk mbështetet askund në legjislacion. Ne kemi dyshime të arsyeshme se kjo mbledhje nuk ekziston dhe jemi në kushtet e falsifikimit të dokumenteve.
Ndryshimet e Statutit
Me statutin e miratuar nga Kuvendi Kombëtar i 2 shtatorit, Basha përqendroi pushtetin në duart e tij, duke marrë jo vetëm postin e kryetarit të partisë, por edhe të kryetarit të grupit parlamentar, funksion të cilin e ushtronte Gazment Bardhi. Një tjetër ndryshim ishte përjashtimi nga anëtarësia e demokratëve që kanë garuar për subjekte të tjera zgjedhore, pra mbështetësit e Berishës që kandiduan në zgjedhjet e 14 majit për koalicionin “Bashkë Fitojmë”.
Lajmet Nis gjyqi për statutin e PD, këtë herë Basha kundër Bardhit >> Rahoveci INFO.