Nikaj i quan shpifje akuzat e deputetes së VV-së për masat e BE-së

Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare në PDK, Bernard Nikaj, i ka cilësuar shpifje akuzat e deputetes së Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu se dy zyrtarë të lartë të PDK-së i kanë kërkuar BE-së të mos ia heqin masat Kosovës.
Në një përgjigje për RTV21, Nikaj tha se PDK-ja në të gjitha takimet me zyrtarë të BE-së ka insistuar që sanksionet e vendosura nga BE duhet të hiqen sa më parë.
Sipas tij, deputetë të VV-së në kohë fushate po merren me shpifje për të arsyetuar paaftësinë e tyre për të larguar masat.
“Qëndrimet e PDK-së për masat e BE-së janë publike dhe të kahmotshme. Në të gjitha takimet me zyrtarë të BE-së, PDK-ja ka insistuar që sanksionet e vendosura nga BE janë të padrejta ndaj qytetarëve të Kosovës dhe që duhen larguar njëherë e më parë. Duhet rikujtuar që sanksionet e BE-së janë vendosur si pasojë e veprimeve të qeverisë dhe nuk po largohen për arsye që Qeveria e udhëhequr nga VV-ja nuk po arrin të bindë shtetet anëtare të BE-së që t’i largojnë sanksionet. Këto sanksione janë rezultat i drejtpërdrejtë i një politike të jashtme të dështuar të qeverisë së udhëhequr nga VV-ja. E tash në kohë fushate deputetë të VV-së po merren me shpifje për të arsyetuar paaftësinë e tyre për të larguar masat. Kjo është qeverisja e VV-së, një qeveri e cila dështimet e veta i kërkon tek fajësimi i opozitës e tek shpifjet e nxjerra nga koluaret e ndryshme”, tha Nikaj për RTV21.
RTV21 mori vesh se Nikaj, është njëri nga dy zyrtarët e lartë të PDK-së të auluaduar nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu e cila për RTV21 tha së të njëjti gjatë një takimi me dy përfaqësues të BE-së kanë kërkuar që mos t’i tërhiqen masat Kosovës sepse, siç tha, nëse ndodh një gjë tillë do të ndikonte pozitivisht në procesin zgjedhor në favor të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ajo ka thënë se informacionet për këtë çështje i kanë marrë nga kontaktet që kanë me përfaqësuesit e BE-së./RTV21/21Media
Deputetja e VV-së: Dy zyrtarë të lartë të PDK-së i kërkuan BE-së të mos ia heqin masat Kosovës