Ndeshja me Gjeorgjinë, vendimtare për Shqipërinë
Disfatat radhazi ndaj Gjeorgjisë në shtator dhe e fundit në Pragë ndaj kombëtares vendase, kanë krijuar një situatë jo fort pozitive përreth kuqezinjve dhe deri diku edhe të tensionuar. Shqipëria veç rezultateve, zero pikë në dy ndeshje, 3 gola të pësuar dhe asnjë të shënuar, ka prodhuar pak lojë dhe kjo është më shqetësuesja.
Sikur të mos mjaftonte kjo opinionin sportiv, nuk e kanë bindur aspak argumentet e protagonistëve kuqezi në lidhje me humbjen në Ceki. Trajneri Silvinjo dhe mbrojtësi Hysaj në rolin e kapitenit në Pragë në mungesë të Gjimshitit u justifikuan me motivimin e madh që kundërshtarët, dhe konkretisht Çekia pati në fushë kundër Shqipërisë, ndërkohë që askush nuk mori përsipër asgjë praktikisht në lidhje me lojën apatike, luftën e dobët sportive, zëvendësimet e vonuara etj. Ky është padiskutim momenti më i vështirë i trajnerit Silvinjo dhe stafit të tij që kur mbërritën tek Shqipëria në shkurt të vitit të kaluar.
Padiskutim një moment që do të vinte herët a vonë, e që tani duhet superuar për të mos agravuar edhe më shumë situatën. Për të kaluar këtë ngërç nuk ka rrugë tjetër veç rezultatit pozitiv në Gjeorgji. Barazimi kështu si erdhi situata mund të mos jetë i mjaftueshëm, pasi me një pikë do të mbetemi pas Gjeorgjisë dhe Çekisë padiskutim, por ndoshta pas edhe Ukrainës. Ndaj të hënën në Tbilisi na pret një ndeshje shumë delikate. Të vetmet aspekte që ngushëllojnë Silvinjon janë fakti që dy takimet e fundit i luajmë në Tiranë edhe pse mund të mos jenë të mjaftueshme, e tjetra është se liga e kombeve është një kompeticion jo deçiziv, madje testues më së shumti.
Pikërisht pse është i tillë, Silvinjo duhet të kishte guxuar më shumë me mundësinë për emra të veçantë sikurse Arbër Hoxha apo Ernest Muçi. Pajaziti mund të ishte opsion, por edhe ai nuk ka udhëtuar në Gjeorgji për shkak se duhet të vuajë një dënim nga UEFA të marrë me kombëtaren Shpresa. Në stërvitjen e fundit këtë të diel, trajneri Silvinjo do të ravijëzojë formacionin anti-Gjeorgji, kundërshtar që disa javë më parë na mundi në Tiranë 1 me 0.