Ndahet nga jeta shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare

Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçari shkrimtari i mirënjohur, Ismail Kadare. Kolosi i letrave shqipe ndërroi jetë mëngjesin e sotëm (1 Korrik).

Letërsia e Kadaresë ka dhënë një kontribut të çmuar në krijimin e gjuhës dhe letërsisë kombëtare.

Ai është shkrimtari i vetëm shqiptar me njohje ndërkombëtare të gjerësishme dhe është përkthyer në 45 gjuhë.

Ismail Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi dhe së fundmi ka marrë dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. Kolosi i letrave shqipe ka lindur në Gjirokastër më 28 janar 1936.

Ai ka qenë akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.

Ai nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit ai e ka ndarë kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Jeta private

Ismail Kadare ishte martuar me shkrimtaren, Helena Kadare, me të cilën ishte edhe dy vajza. Gresa mbaroi Fakultetin e Shkencave ë Natyrës, në Francë vijoi dhe kreu studimet në Universitetin e Sorbonës dhe punon si shkencëtare dhe pedagoge në Francë. Ndërsa e vogla, Besiana ka qenë ambasadore e përhershme e Shqipërisë në UNESCO, e liruar nga detyra më 2016 u emërua ambasadore e Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke mbuluar edhe përfaqësuesen e Shqipërisë në Kubë, jo rezidente.

Veprat

Gjatë viteve ’60 në shkrimet e kritikës zyrtare kryesisht injorohet ose përmendet rrallë, në kontrast me shkrimtarët e mëdhenj të kohës të cilët kritika i pëlqente. Në vitet ’60 ishte i çmuar realisht për talentin e tij nga Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami. Pas njohjes ndërkombëtare konsiderohej si shkrimtar i talentuar, por talenti i të cilit anonte kah dekadenca dhe subjektivizmi. Sipas disa studiuesve të veprës së tij, Kadare u përpoq të shkruajë letërsi normale në një vend jonormal (Shqipëria komuniste mund të krahasohej vetëm me Korenë e Veriut ose Bashkimin Sovjetik gjatë viteve ’30), duke e quajtur veprën e tij letërsi rezistence, sfidoi realizmin socialist me realizëm subjektiv.

Iu shmang realizmit socialist dhe censurës shtetërore përmes mjeteve alegorike, simbolike, historike dhe mitologjike. Për Elsie, ai shfrytëzoi çdo rast për të sulmuar regjimin në veprat e tij nëpërmjet alegorive politike, të cilat kuptoheshin nga lexuesit e edukuar shqiptarë. Duke u njohur për këtë shmangie nga realizmi socialist veprat e tij u përkthyen dhe u pritën mirë nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare.

Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe akademikët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjera historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Temë qendrore e veprave të tij është totalitarizmi, mekanizmat e tij dhe kompliciteti që e bën atë të mundur.

Poezi

Vëllimi i tij i parë poetik i titulluar Frymëzime djaloshare u botua më 1954. Më pas do t’i botoheshin Ëndërrimet (1957), Shekulli im (1961), Poemë blindazh (1962) dhe më i çmuari Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Që në vitin 1966 trajtoi në poezi temën e Kosovës, ashtu edhe për Vietnamin.

Romane

Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1970).

Në romanin “Kronikë në Gur” (1971) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). Më 1981 botoi në një përmbledhje të përbashkët romanet Prilli i thyer, Kush e solli Doruntinën së bashku me dy kapitujt e parë të romanit Pallati i ëndrrave në trajtë novelash, Vepra bënte fjalë për një shtet totalitar, që në shikim të parë dukej si Perandoria Osmane, por shpejt e vunë re atmosfera e frikës, arrestimeve dhe burgosjeve ishte e ngjashme me Shqipërinë komuniste.

Ka shkruar tregime me temën e Sigurimit në revistën “Në shërbim të popullit” Punët e shquara “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” “Dimri i madh” “Kronikë në gur” “Kush e solli Doruntinën” “Kështjella” “Pallati i ëndrrave” “Dosja H” “Darka e gabuar”.

Lajmet Ndahet nga jeta shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>