Nagavci reagon për dhunën ndaj fëmijës: Dyshime se ky fenomen nuk është i izoluar

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas publikimit të videos ku shihet duke u keqtrajtuar një fëmijë në një çerdhe në Fushë Kosovë.
Ajo ka thënë se dhuna është e papranueshme dhe pret që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar.
“Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person, por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar. Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme. MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve”, ka shkruar Nagavci.
Bashkë me Inspektoratin e Arsimit janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Pamjet nga keqtrajtimi i fëmijës, janë publikuar nga qytetari Fatos Geci, i cili ka deklaruar se nipi i tij 3-vjeç është rrahur brutalisht nga mësueset në çerdhen e fëmijëve “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë.
Në pamjet e publikuara nga ambientet brenda çerdhes shihet teksa nipi i tij 3-vjeç, tërhiqet zvarrë nga mësueset, ndërsa ka publikuar edhe foto nga lëndimet që ka marrë fëmija.
Lajmet Nagavci reagon për dhunën ndaj fëmijës: Dyshime se ky fenomen nuk është i izoluar >> Rahoveci INFO.