Murati: Pagesat për operatorët e transportit publik nuk janë bllokuar
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se tashmë janë alokuar 2.7 milionë euro në kategorinë mallra dhe shërbime për pagesën e operatorëve të transportit publik në Prishtinë, sipas vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për të hyrat vetanake.
Murati shpjegon se ky proces është proceduar veçmas nga pjesa tjetër e projekteve kapitale në vlerë prej 25.9 milionë eurosh, pasi kapitalet e tjera kërkojnë më shumë kohë për t’u finalizuar. Ai theksoi se verifikimi i ligjshmërisë së vendimit u krye në afat rekord nga Ministria e Administratës Publike dhe Ligjit (MAPL) dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), duke përmbushur angazhimin e bërë ndaj sindikatave të transportuesve publikë.
Ministri u përgjigj edhe ndaj deklaratave të Komunës së Prishtinës, të cilat ai i cilësoi “dezinformuese”, duke theksuar se procedurat e alokimit nuk mund të tejkalohen, dhe se Komuna ka qenë e informuar gjatë gjithë procesit.
Murati kërkoi nga Komuna që të shlyejë menjëherë të gjitha borxhet ndaj operatorëve të transportit publik, duke theksuar se me këtë do të marrë fund edhe pretendimi për një bllokadë të Ministrisë së Financave.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, sot në një postim në Facebook, ka kërkuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, që të bëjë transferimin e mjeteve, pasi sipas tij, shërbimet janë ndalur, punëtorët janë pa paga dhe Komuna e Prishtinës po pret transferimin e mjeteve nga ministria.
Lajmet Murati: Pagesat për operatorët e transportit publik nuk janë bllokuar >> KosovaNews.


