Murati në ShBA takon shefin e misionit të FMN-së për Kosovën
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë qëndrimit në Amerikë, ka takuar Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, David Amaglobeli.
Përmes një komunikate për media, thuhet se Murati gjatë takimit ka prezantuar indikatorë ekonomik dhe progresin që ka arritur Kosova.
”Nga ana e tij, Amaglobeli përgëzoi Kosovën për performancën e mirë makroekonomike, që reflektohet me rritje të ekonomisë përtej parashikimeve fillestare, dhe me shkallë inflacioni të ulët, e cila në shtator shënoi 0.4%. Palët vijuan diskutimet rreth projekteve dhe programeve aktuale, siç janë: Stand-By Arrangement (SBA) dhe Resilience and Sustainability Facility (RSF) me Fondin Monetar Ndërkombëtar si dhe përmbushjen e rekomandimeve që derivojnë nga këto programe. Palët vijuan takimin duke diskutuar mundësitë për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e zyrës së Muratit.