Mundi i Çekisë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Mundi i Çekisë për liberalizimin e vizave të kosovarëve.

Presidenca e Bashkimit Evropian e drejtuar nga shteti i Çekisë ka deklaruar se liberalizimi i vizave për kosovarët duhet të bëhet më herët se 1 janari i vitit 2024, datë kjo e vendosur nga Presidenca e Këshillit dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian.

Nga Presidenca Çeke kanë treguar se sa ka qenë sfiduese puna në avancimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Ballkani Perëndimor është prioritet për Presidencën Çeke. Ne ishim shumë të lumtur që pamë një përpjekje nga pala kosovare e cila më në fund çoi në një marrëveshje në mesin e ambasadorëve për liberalizimin e vizave për vendin. Ka qenë një debat i gjatë që është zvarritur për disa vite dhe Presidenca Çeke më në fund ka dalë me një kompromis që ndihmoi për të vazhduar me situatën”, kanë thënë nga Presidenca Çeke.

Nga ky institucion pohuan se ka gjasa që liberalizimi i vizave për Kosovën mund të jetë më herët se janari i vitit 2024.

“Kjo datë ishte pjesë e kompromisit të pranuar nga të gjitha shtetet anëtare. Liberalizimi i vizave duhet të fillojë sapo sistemi ETIAS të vihet në funksion ose më së voni më 1 janar 2024. Kjo do të thotë për t’u siguruar që liberalizimi i vizave të zbatohet nëse ka ndonjë vonesë teknike ose administrative të lidhur me ETIAS. Shpresojmë shumë që qytetarët e Kosovës do të mund të gëzojnë heqjen e vizave që nga fillimi i vitit 2024”.

“Ne e dimë që Kosova kaloi një rrugë të gjatë dhe e vlerësojmë shumë përpjekjen e bërë në atë rrugë. Data e caktuar është një kompromis i pranuar nga të gjitha shtetet anëtare dhe ne ishim më se të lumtur të njoftonim se ajo është arritur gjatë Presidencës Çeke. Po, në fakt liberalizimi i vizave duhet të jetë më herët se 1 janari 2024 pasi sistemi ETIAS duhet të jetë funksional në nëntor 2023”, thanë nga Presidenca Çekisë.

Në dhjetor të këtij viti Çekisë do t’i përfundojë mandati për drejtimin e Presidencës së Bashkimit Evropian, pas tyre në drejtim do të jetë Suedia. Lidhur me këtë ndryshim dhe procesin e liberalizimit të vizave, çekët deklaruan “Presidenca e ardhshme e Suedisë është e gatshme për të vazhduar punën tonë”.

Presidenca e Këshillit dhe Parlamenti Europian pro liberalizimit për kosovarët

Më 14 dhjetor Presidenca e Këshillit dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian kanë arritur marrëveshje për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.

”Teksti i rënë dakord tani duhet të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian përpara se të kalojë procedurën formale të miratimit”, thuhet mes tjerash në kumtesën e lëshuar.

Rregullat e reja do t’i lejojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë, për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari 2024.

Mandati Këshillit Evropian për të negociuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian, është dhënë nga ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian më 30 nëntor.

Sistemi ETIAS

Komisioni Evropian ka propozuar një sistem të ri për shtetet, palë të treta, të cilat nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në zonën Schengen.

I ashtuquajturi Sistemi Evropian për Autorizim dhe Informim ¬për Udhëtim (ETIAS), ka për qëllim që të fuqizoj sigurinë mbi kontrollin e migrimeve ilegale dhe terrorizmit.

Sipas këtij propozimi qytetarë nga vendet, palë të treta, duhet të plotësojnë një aplikacion online para udhëtimit në vendet tjera të Bashkimit Evropian. Aplikacioni kërkon vetëm dokumentet e udhëtimit, vlen për pesë vite dhe kushton 5 euro.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!