Mourinho ofendon kundërshtarët dhe sulmon gjyqtarët
Fenerbahce ka mposhtur Trabzonspor me rezultat 3:2 në xhiron e 11-të të Superligës turke, por në qendër të vëmendjes ishte Jose Mourinho.
Skuadra vendëse erdhi në epërsi me golin e Fred në minutën e 35-të, por Trabzonspor riktheu rezultatin falë golave të Simon Banzës nga dy penallti. Megjithatë, Edin Xheko në minutën e 75-të dhe Sofyan Amrabat në minutën e 12-të të kohës shtesë i sollën fitoren ekipit të strategut portugez.
Mourinho ishte nervoz gjatë gjithë lojës dhe humbi kontrollin kur Amrabat shënoi golin e fitores. Ai vrapoi në fushë, ra në gjunjë dhe përqafoi çmendurisht Dominik Livakoviq, portierin e kombëtares kroate.
Kur gjyqtari dha shenjë për përfundimin e ndeshjes, Mourinho u përplas verbalisht me futbollistët kundërshtarë duke i ofenduar ata. Ai nuk u qetësua as pas ndeshjes, ndaj në një deklaratë për media sulmoi arbitrin dhe të gjithë sistemin.
“Njeri kryesor i ndeshjes ishte Atilla Karaoglan (arbitër i VAR-it). Njeriu i padukshëm. Arbitri kryesor është vetëm një fëmijë. Atilla Karaoglan është njeriu i ndeshjes. Ne nuk duam ta shohim atë në ndeshjet tona, nuk e duam më si gjyqtar të VAR-it. Ne luajtëm kundër një ekipi të mirë që luftoi mirë, por ne po luajmë kundër sistemit. Unë flas për tifozët e Fenerbahçes kur e them këtë. Prandaj e festuam fitoren kështu. Para se të vija këtu, më treguan gjysmën e historisë. Nëse do të më tregonin të gjithë historinë, nuk do të vija.”
“A nuk ishte një karton i kuq faulli ndaj Bright? A po pinte kafe Karaoglan atëherë? Ai ishte gati të akordonte dy penallti për Trabzonspor, dhe ku ishte ai kur ne duhej të merrnim një penallti? A ishte duke pirë çaj dhe për këtë arsye e bëri? E shihni, unë nuk jam nga këtu, ju turqit duhet të flisni për këto gjëra, jo ne”, tha Mourinho.