Mourinho flet me superlativë për lojën e Kombëtares shqiptare
Trajneri i Fenerbahces, Jose Mourinho e lavdëroi lojën e Shqipërisë në Euro 2024, duke thënë se skuadra jonë kombëtare theu çdo parashikim këtë Europian, edhe pse ishte në atë që e përshkroi si “grupin e vdekjes”, me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.
Performanca e Shqipërisë në dy ndeshjet e para, me Italinë dhe Kroacinë, nuk është parë që nga Kosta Rika 2014.
“Shqipëria është një nga skuadrat që theu çdo parashikim. Në grupin e vdekjes, pritshmëri zero, stadiume plot, lojë të mirë, trajner i rastësishëm brazilian, gola në 20 sekonda, gola në minutën e fundit, dhe ende gjallë. Nuk e kemi parë këtë që nga Kosta Rika 2014. Kulmi i futbollit”, ishte mesazhi i tranjerit legjendar, i parë në histori që arriti të çojë tri skuadra të ndryshme në gjysmë-finale të UEFA Champions League.
Shqipëria, nga Hirushja’ e Euro 2024, siç e cilësonte Calciomercato në Itali, ka tërhequr vëmendjen e komentatorëve të ndryshëm sportivë të cilët mendojnë se tashmë kuqezinjtë po lënë shenjën e tyre në këtë grup “ferri”.
Për një lojë tejet të bukur nga ana e kombëtares sonë flet edhe gjigant britanik BBC, i cili e përshkruan golin e barazimit në ndeshjen me Kroacinë si një bllokues dramatik që i mohoi fitoren kroatëve dhe i dëmtoi rëndë shpresat e finalistëve të Kupës së Botës 2018 për të mbërritur në fazën eliminatore të Euro 2024.
Gjasula tha fjalën e fundit, vazhdon shkrimi, çka nënkupton se Kroacisë tani do t’i duhet të mundë kampionët në fuqi, Italinë në ndeshjen e fundit të Grupit B për të pasur një shans avancimi.
Sa për përballjen e kombëtares shqiptare me Spanjën, BBC e përshkruan vërtet si një sprovë të vështirë, ama thekson se se paraqitja e vendit tonë në këtë kampionat do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve.
Një tjetër media prestigjozë, The Guardian flet deri për “një ringjallje lindore“ në Euro 2024 dhe për një testament të ecjes përpara pavarësisht probleme me të cilat janë ndeshur, siç thuhet në artikull, këto 30 vitet e fundit.
Ekipi duket i frymëzuar, shkruan The Guardian nga trajneri i tij, ish-mbrojtësi i Arsenalit, Sylvinho, i cili promovoi një sërë lojtarësh të rinj dhe drejtoi një seri tetë ndeshjesh të pamposhtura për të përfunduar në krye të grupit kualifikues.
Lajmet Mourinho flet me superlativë për lojën e Kombëtares shqiptare >> Rahoveci INFO.