Mosbindja civile zgjat 3 orë, protestuesit e PD i vënë flakën godinës së PS dhe dëmtojnë 10 efektivë policie
Ka zgjatur rreth tre orë protesta e opozitës, e shoqëruar me molotovë, gaz lotsjellës dhe përplasje.
Opozita protestoi për tre orë me radhë këtë të hënë në Tiranë. E konceptuar si mosbindje civile, mbështetësit e opozitës u tubuan në kryeqytet duke u mbledhur fillimisht para Kryeministrisë, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Aty u shënuan edhe përplasjet e para me kordonin e forcave të rendit. Përplasjen e udhëhoqën një grup deputetësh të grupit parlamentar demokrat dhe më pas edhe protesutesit. Këta të fundit hodhën kapsolla dhe bomba molotov drejt Kryeministrisë. Ndërsa policia është përgjigjur me spraj lotsjellës. Tensionet kanë zgjatur disa minuta, ndërsa me altoparlant policia i bëri thirrje protestuesve të ndalin aktet e dhunshme. Pas qëndrimit para Kryeministrisë, deputetët e PD udhëhoqën protestuesit drejt një tjetër marshimi në këmbë, me destinacion selinë e PS-së ku u hodhën flakadanë dhe bomba molotov. Te selia e PS u dogj edhe banderola me foton e Edi Ramës. Marshimi vijoi drejt Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës ku sërish u hodhën flakadanë dhe bomba molotov. Më pas turma e protestuesve vijoi drejt disa akseve rrugore në Tiranë. Mbështetësit e PD ecën në këmbë drejt “Rrugës së Dibrës, më pas ata kaluan te kryqëzimi me Rrugën e Barrikadave. Protestuesit vijuan te zona e 9-katësheve (Ushtari i panjohur) për të dalë më pas te Rruga George Bush, para Parlamentit. Destinacioni i radhës i protestuesve është pikërisht selia e Parlamentit.
Lajmet Mosbindja civile zgjat 3 orë, protestuesit e PD i vënë flakën godinës së PS dhe dëmtojnë 10 efektivë policie >> Rahoveci INFO.