“Miqësinë me armikun nuk e pranojmë!”, tifozat Kuq e Zi reagojnë për ndalimin e flamurit të UÇK-së

Tifozat Kuq e Zi kanë reaguar fuqishëm ndaj masave të marra gjatë ndeshjes miqësore të Kombëtares Shqiptare, ku simbolet kombëtare dhe flamujt janë ndaluar dhe trajtuar në mënyrë diskriminuese brenda stadiumit.
Ata kanë përmendur se gjatë ndeshjes u konfiskuan bluza dhe shalla me mbishkrime si “O sa mirë me qenë Shqiptar!”, “Prishtina”, “Kosova” dhe “Shkëndija”, ndërsa simboli i UÇK-së u konsiderua si një rrezik dhe u ndalua me forcë.
Në një reagim të hapur për media, Tifozat Kuq e Zi shprehen se ky trajtim është unik në botë dhe nuk ndodh në asnjë stadium tjetër, ku simbolet kombëtare trajtohen me respekt. Ata e konsiderojnë këtë si një përçmim të identitetit dhe krenarisë shqiptare, duke e vendosur ndeshjen dhe stadiumin nën presionin e kontrollit të tepruar dhe rregullave që kufizojnë lirinë e shprehjes kombëtare.
“Për pak flamuj të futur brenda stadiumit panë skena qesharake e përçmuese, ku mbi 20 policë u vërsulën për të ndaluar një djalë që mbante në gjoks shqiponjën dykrenare dhe stemën e UÇK-së. Ky “krim” nuk ndalohet me ligj në asnjë qytet të Shqipërisë – pse stadiumi ynë duhet të jetë më i veçantë?” thonë ata në reagim.
Tifozat theksuan se janë të gatshëm të përballojnë çdo gjobë që autoritetet u vendosin për mbrojtjen e flamurit të UÇK-së dhe sfidojnë që të ndalohet ky simbol që e kanë shpalosur në çdo ndeshje të Kombëtares gjatë 21 viteve të fundit. Ata kujtojnë edhe luftën dhe sakrificën e mijëra dëshmorëve dhe viktimave shqiptare që luftuan dhe u rritën nën atë simbol.
Në reagim, ata akuzojnë FSHF-në për inferioritet ndaj interesave kombëtare dhe miqësi të dyshimta me Serbinë, duke theksuar se historia do t’i mallkojë për këtë.
Ata paralajmërojnë se pasioni i tyre për Kombëtaren do të vazhdojë të jetë i pathyeshëm dhe do të mbështesin ekipin edhe në ndeshjet e ardhshme, përfshirë edhe ato në Riga, pavarësisht nga kufizimet në bileta dhe ndalesat që u janë vendosur.
“Të martën në Riga do të jemi aty jo me biletat që na i ndaluan, por me zemrën dhe pasionin që nuk e blini dot,” përfunduan Tifozat Kuq e Zi, duke treguar se dashuria për Kombëtaren është më e fortë se çdo pengesë.
Ky reagim vjen pas një ndeshjeje që u quajt “miqësorja më e shikuar në histori”, por që përfundoi me mbi 2 mijë vende bosh dhe një atmosferë ku kontrolli i theksuar ndaj tifozëve dhe simbolikës kombëtare la shije të hidhur te tifozët shqiptarë.