Ministri Mehaj: Po e përmbyllim vitin me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, e ardhmja e ushtrisë sonë është në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në një postim përmbledhës për të arriturat gjatë vitit 2022, ka thënë se ky vit ishte vit suksesesh për FSK’në.

Ai ka thënë se ky vit po përmbyllet me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, dhe me mbi 2 mijë e 500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit.

Tutje, Mehaj tha se e ardhmja e ushtrisë së Kosovës është në NATO.

“E ardhmja e ushtrisë sonë është në NATO, ngase në përputhje të plotë me misionin e kësaj aleance janë edhe qëllimet tona”, tha ai.

Njoftimi i plotë:

Viti 2022, vit suksesesh për Forcën e Republikës sonë!

Po përmbyllim vitin me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, 84% më shumë investime në pajisje ushtarake, dhe me mbi 2500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit vetëm gjatë këtij viti.

Ushtria e Republikës së Kosovës më nuk ka kufizim në numër përsa i përket ngritjes së kapaciteteve ushtarake, dhe të gjithë të rinjtë e të rejat ndërmjet moshës 18-25 vjeç mund t’i bashkohen Forcës që është në shërbim të atdheut.

E ardhmja e ushtrisë sonë është në NATO, ngase në përputhje të plotë me misionin e kësaj aleance janë edhe qëllimet tona.

Përkrah ushtrive të shteteve mike do të vazhdojmë rrugëtimin tonë për konsolidim, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, në funksion të misionit kushtetues për garantimin e sigurisë, territorialitetit, mbrojtjes së qytetarëve dhe ruajtjes së stabilitetit të shtetit.

Urime ushtarakë për çdo rezultat që keni treguar në garat dhe ushtrimet ndërkombëtare, për profesionalizmin mbresëlënës dhe për karakterin luftarak e human të pashoq.

Ju jeni krenaria jonë më e madhe!

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!