Ministri i Mbrojtjes: Baza ajrore do mbrojë gjithë rajonin

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se kjo bazë do t’i shërbejë aleatëve jo vetëm për mbrojtjen e vendit tonë, por të gjithë rajonit, në një kohë kur rendi botëror është prishur për shkak të agresionit rus.

Tashmë në këtë bazë, tha Peleshi, “do të dëgjohet jehona e avionëve të NATO-s”, ndërsa shtoi se Shqipëria do të krijojë flotën e saj ajrore dinjitoze në funksion të mbrojtjes së vendit por edhe aleatëve.

“Sot, deklarojmë zyrtarisht rihapjen e Bazës Ajrore të Kuçovës, e cila përbën një prej investimeve më madhore të NATO-s në Shqipëri dhe do të shërbejë si një bazë ajrore taktike dhe operacionale për Aleancën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Mbi këtë pistë, MIG-u i fundit ka fluturuar pothuaj 19 vite më parë. Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve NATO, mbrojtësve të qiejve tanë, në dekadën më të rrezikshme të historisë moderne të rajonit dhe të mbarë Europës. Ndjenja e krenarisë që sot provojmë është më se e ligjshme, jo vetëm për rezultatin e dukshëm të një ekipi të jashtëzakonshëm ekspertësh dhe teknikësh që kanë punuar ditë e natë për rigritjen e kësaj baze, por edhe për faktin se një vend i vogël si Shqipëria ka nderin dhe privilegjin ti ofrojë Aleancës këtë aset të vyer në skemën e saj të mbrojtjes kolektive.

Kuçova do të shërbejë si baza kryesore për Forcat tona Ajrore, për të cilat vëmendja dhe investimi nuk do të rreshtin deri në krijimin e një flote dinjitoze në shërbim të mbrojtjes së popullsisë sonë, por edhe të aleatëve tanë. Helikopterët Black Hawk dhe dronët Bayraktar, te siguruar me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Turqisë, janë aktualisht në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimin nga kjo bazë. Numri i tyre do të shtohet ndjeshëm, në një të ardhme të afërt. Dhe për këtë qëllim po punohet fort! Konsiderojeni këtë bazë si një pikë strategjike të rëndësishme për operacionet tuaja në mbështetje dhe mbrojtje të paqes, si dhe për misionet dhe operacionet e Aleancës sonë. Por, gjithashtu, kjo bazë ka kapacitetin e nevojshëm për të mbështetur përpjekjet tona të përbashkëta në përballje me fatkeqësitë natyrore. Pozicioni gjeografik i favorshëm mund ta kthejë këtë vend në një nyjë lidhëse të vlefshme për të gjitha vendet e rajonit tonë. Në këtë kontekst, ndihma dhe mbështetja që Shqipëria mund të japë për vendet fqinje na bën të ndihemi më të vlefshëm se kurrë, por edhe më të përkushtuar se kurrë për të qenë në lartësinë e duhur përballë çdo situate”, tha Peleshi.

Kurse, gjeneralmajor Arben Kingji, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, u shpreh se baza ajrore taktike e Kuçovës pritet të luaj rol të rëndësishëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor dhe jugor i NATO-s.

Gjeneralmajor Kingji e quajti inaugurimin një ngjarje të shënuar për forcat shqiptare dhe vetë Aleancën.

“Sot, pas përfundimit me sukses të këtij projekti madhor të financuar nga NATO-ja dhe qeveria shqiptare, afrohet një vlerë e shtuar në infrastrukturën tonë të mbrojtjes, e cila riafirmon rëndësinë strategjike të vendit tonë dhe përkushtimin e Aleancës në garantimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Kjo bazë do të ofrojë infrastrukturë të avancuar për mjetet ajrore të Aleancës, akomodim për trupat pjesëmarrëse, do të shërbejë si qendër për aktivitetet e forcës sonë të përgjithshme ajrore, për dislokimin e forcave dhe mjeteve, zhvillimin e trajnimeve dhe stërvitjeve, qoftë në kuadër kombëtar, rajonal apo të Aleancës. Në një epokë të karakterizuar nga sfidat komplekse dhe dinamike të sigurisë, nevoja për një infrastrukturë mbrojtjeje të qëndrueshme dhe bashkëkohore është bërë më e domosdoshme se kurrë. Në këtë kuptim, kjo bazë do të luajë një rol të rëndësishëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor dhe jugor i Aleancës, njëkohësisht edhe rritjes së aftësive tona të mbrojtjes kolektive, duke promovuar ndërveprimin midis forcave aleate dhe duke mundësuar një përgjigje të shpejtë dhe efektive ndaj çdo sfide që mund të lindë. Gjithashtu baza ajrore Kuçovë, e vetmja e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, do të kontribuojë në mundësimin e planit rajonal jugor-lindor në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Aleancës, patrullimin e hapësirave ajrore, mbështetjen logjistike si kapacitet i vendit pritës apo edhe për qëllime e situata të tjera. Në të njëjtën kohë dëshiroj të theksoj ndikimin pozitiv që do të sjellë ndërtimi i kësaj baze në zhvillimin ekonomik dhe social të komunitetit. Me vënien në funksion të kësaj baze, tashmë përpjekjet tona do të përqendrohen në një projekt tjetër të rëndësishëm, që po hedh hapat e parë: Portin e ri të Porto-Romanos. Ndërtimi i këtij Porti do të rrisë ndjeshëm kapacitetet tona detare dhe do të sigurojë mbështetje për operacionet dhe stërvitjet e NATO-s, duke siguruar hapësirat e nevojshme për pritjen e forcave të Aleancës dhe lëvizjen e shpejtë të tyre nga Perëndimi në Lindje, nga bregu i Adriatikut në bregdetin e Detit të Zi dhe në krahun lindor të Aleancës,” u shpreh shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Kingji.

Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është një investim madhor prej 50 milionë eurosh nga aleanca dhe më shumë se 5 milionë euro të investuara nga qeveria shqiptare.

Kjo bazë ka një infrastrukturë moderne për flotën e Shqipërisë të helikopterëve e dronëve të armatosur dhe avionët luftarakë të Aleancës, e cila i jep vendit tonë një rëndësi të re gjeostrategjike.

Lajmet Ministri i Mbrojtjes: Baza ajrore do mbrojë gjithë rajonin >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>