Mercenarët e Vagnerit luftojnë me forcat ukrainase në Soledar

Beteja për Soledarin ka vazhduar të mërkurën, me grupin rus të mercenarëve, Vagner, që ka pretenduar se kanë marrë kontrollin e këtij qyteti minierash në lindje të Ukrainës, teksa po zhvillohen luftime në qendër të qytetit.

Kievi tha më herët se ende ka nën kontroll Soledarin. Në përditësimin e informacioneve për luftën, ushtria ukrainase mëngjesin e 11 janarit përmendi Soledarin, duke e listuar në mesin e qyteteve që po granatohen në rajonin e Donjeckut.

Komandantët rusë e kanë bërë synim kryesor marrjen e Soledarit, në fushatën e tyre për të marrë kontrollin e qytetit të afërt strategjik, Bahmut, dhe të gjithë rajonit lindor të Donbasit.

“Njësitë e Vagnerit morën kontrollin e gjithë territorit të Soledarit. Një zonë e nxehtë është formuar në qendër të qytetit ku po zhvillohen luftimet urbane”, tha kreu i Vagnerit, Yevgeny Prigozhin, aleat i presidentit rus, Vladimir Putin.

“Për numrin e të burgosurve do t’iu njoftojmë nesër”, tha ai, duke mos dhënë më shumë detaje.

Marrja e Soledarit nga Rusia dhe e minierës së madhe të kripës që gjendet aty, do të kishte një domethënie simbolike, ushtarake dhe vlerë komerciale për Rusinë. Por, situata në dhe përreth Soledarit duket se është fluide.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se trupat ruse dhe luftëtarët e Vagnerit ka të ngjarë që të marrin kontrollin e shumicës së territorit të Soledarit, pas katër ditësh të përparimit.

Por, deklaratat e Prigozhinit se luftimet në qendër të qytetit po vazhdojnë, sugjerojnë se Rusia nuk e ka marrë plotësisht kontrollin e Soledarit, pavarësisht deklaratës së tij se Vagneri e ka nën kontroll atë.

Agjencia shtetërore e lajmeve ruse, RIA, më vonë publikoi një raport që thoshte se Grupi Vagner mori minierat e kripës së Soledarit, pas “luftimeve të ashpra”.

Minierat e kripës gjenden në periferi të qytetit. Uashingtoni tha se Prigozhin mund të dëshirojë që personalisht të marrë nën kontroll minierat e kësaj zone.

Mbrëmjen e së martës, as presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e as komandantët ushtarakë nuk e kanë përmendur çështjen e kontrollit të Soledarit. Zelensky përsëriti thirrjen e tij për më shumë armë perëndimore, duke theksuar se Rusia po mbledh forcat e saj për të intensifikuar fushatën ushtarake, por nuk dha detaje për këtë.

Por, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se “edhe pas humbjeve kolosale, Rusia në mënyrë maniake po tenton të marrë Soledarin – shtëpinë e minierës më të madhe të kripës në Evropë”.

Ukraina ka deklaruar më herët se forcat e saj po mbajnë pozicionet në Soledar, duke u përballur me sulmet e vazhdueshme ruse.  

Më 11 janar, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase pretendoi se Rusia ka humbur afër 490 ushtarë në ditën paraprake. Sipas shtabit, numri i përgjithshëm i ushtarëve të vrarë rusë ka arritur në pothuajse 113.000.

Palët në konflikt nuk publikojnë të dhënat për humbjet në mesin e ushtarëve të tyre dhe Radio Evropa e Lirë e ka të pamundur të verifikojë të dhënat e prezantuara nga akëcila palë.

Ndërkaq, ushtria ukrainase, po ashtu ka raportuar se ka zmbrapsur sulme të armikut edhe në 13 vendbanime në rajonin e Luhanskut, Harkivit dhe Donjeckut, përfshirë edhe Bahmutin.

Nëse Rusia e merr Soledarin, do të paraqiste fitoren më të rëndësishme për Moskën që nga gushti i kaluar, pasi që pothuajse në gjithë pjesën e dytë të vitit 2022 ka pësuar humbje në fushëbetejë.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!