Maqedonia e Veriut dhe Serbia biseduan për vendosjen e vetëm një pike kufitare në Tabanoc-Preshevë
Sot u mbajtën bisedime për arritje të Marrëveshjes mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për vendosje të kontrolleve të përbashkëta në vendkalimin kufitar për komunikacion rrugor ndërkombëtar Tabanoc – Preshevë, informojnë nga MPB.
Nga atje shtojnë se sekretari shtetëror Sasho Petrushevski e ka kryesuar delegacionin e Maqedonisë së Veriut në të cilin bëjnë pjesë përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Drejtoria e Doganave.
“Negociatat filluan me fjalë hyrëse të sekretarit shtetëror Petrushevski i cili potencoi se marrëdhëniet mes dy shteteve janë në nivel jashtëzakonisht të lartë, në frymën e bashkëpunimit të mirë fqinjësor dhe pa çështje të hapura. Në fjalimin e tij sekretari shtetëror fillimisht e shfrytëzoi rastin ta falënderojë Republikën e Serbisë për marrjen dhe trajtimin e qytetarëve tanë të cilët u lënduan në zjarrin në Koçan. Më pas foli për nevojën e vendosjes së kontrolleve funksionale, efikase dhe të shpejta kufitare, të cilat duhet të kontribuojnë në përforcimin e mëtutjeshëm dhe avancimin e zhvillimit ekonomik të të dy shteteve fqinje dhe mike”, thuhet në kumtesën e sotme të MPB-së.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje, potencojnë nga Ministria, është fillimi i ONE STOP SHOP, me çka realisht pritet shkurtimi i kohës për kryerje të kontrolleve kufitare dhe pakësim i tollovive dhe koha e pritjes në vendkalimet kufitare posaçërisht gjatë pushimeve vjetore.
“Nga ana tjetër, kontrollet e shpejta dhe efikase, në asnjë rast nuk duhet ta çrregullojnë sigurinë e dy shteteve”, deklaroi Petrushevski.
Gjatë bisedimeve, u shqyrtuan komentet dhe vërejtjet nga delegacionet e të dy palëve, pas çka iu qasën finalizimit të dispozitave të marrëveshjes nga aspekti i të gjitha institucioneve dhe krijimi i parakushteve për nënshkrimin e saj nga qeveritë e të dy shteteve fqinje.
Kujtojmë se një marrëveshje e këtillë veç më është arritur me Republikën e Kosovës. Sistemi i One Stop Shop me Kosovën duhej të fillonte sot, më 1 prill, por që për shkaqe teknike, është prolonguar për më 14 prill.