Maqedonci: Prej kur ushtria serbe ka filluar t’i ruajë pyjet?
Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka reaguar pas arsyetimit të Serbisë lidhur me afrimin e trupave të saj ushtarak 50 metra nga vija kufitare me territorin e Kosovës, ku shteti fqinj tha se kjo ishte bërë për pengimin e prerjes ilegale të pyjeve.
Maqedonci ka deklaruar se ushtria serbe mundohet të kamuflohet si aktivitet për pengimin e prerjes ilegale të pyjeve.
“Në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë në lidhje me aktivitetet e ushtrisë serbe në afërsi prej 50 metra nga vija kufitare me territorin e Kosovës, një aktivitet tipik ushtarak, mundohet të kamuflohet si aktivitet për pengimin e prerjes ilegale të pyjeve. Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka shtuar se Serbia në vazhdimësi përpiqet ta shtojë prezencën ushtarake në afërsi të territorit të Kosovës, duke shtuar se Serbia ka synime hegjemoniste.
Më tutje, ai ka thënë se Kosova do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvillojë kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s./21Media