LVV ka një thirrje për opozitën para seancës konstituive

Lëvizja Vetëvendosje pritet të kandidojë sot Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, për herë të tretë pas dy dështimeve në seancën e kaluar.
Ndërsa opozita ka hedhur poshtë mundësinë e votimit të Albulena Haxhiut, deputeti i LVV-së Hekuran Murati tha se po presin që opozita ta zhbllokojë Kuvendin dhe ta votojnë kryeparlamentaren, raporton KosovaPress.
“Ajo çka duhet të kuptojnë edhe subjektet opozitare që janë në Kuvend, është se, sipas Kushtetutës, interpretimeve nga Gjykata Kushtetuese, e drejta për të propozuar dhe pasur pozitën e kryekuvendarit i takon ekskluzivisht partisë fituese. Ne po presim ngjashëm si rasti i mëhershëm i bllokadës së Kuvendit për raportin e konfirmimit të mandateve edhe që në fund pastaj opozita u pajtua me qëndrimin tonë dhe u detyruan ta votojnë unanimisht, ngjashëm e kemi dhe situatën tani. Ka një mospajtim me partive opozitare me rezultatin zgjedhor”, tha Murati.