Luftimet me rebelët Huthi, më intensivet për Marinën Amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore
Megjithëse grupi rebel Huthi në Jemen thotë se i sulmon anijet në Detin e Kuq për të mbështetur palestinezët në Gazë, nga sulmet e tyre janë goditur edhe anije që nuk asnjë lidhje me konfliktin Izrael-Hamas. Marina Amerikane vazhdon të mbrojë çdo ditë anijet tregtare, në misionin më të zgjatur që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore.
Fushata ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër grupit militant huthi, të mbështetur nga Irani, është shndërruar në një ndër betejat më intensive dhe të vazhdueshme me të cilat është përballur Marina Amerikane që pas Luftës së Dytë Botërore.
Ekspertët dhe drejtuesit e misionit e bënë këtë vlerësim për agjencinë e lajmeve Associated Press, gazetarët e së cilës vizituan gjatë ditëve të fundit anijet amerikane pranë brigjeve të Jemenit.
“Është një punë e rrezikshme, por do t’ia dalim. Ekziston një nivel i shtuar rreziku këtu, por marinarët ia kanë dalë mbanë mirë. Kanë shpëtuar jetët e civilëve. E kam vështirë edhe ta llogaris në këtë pikë se sa njerëz kemi shpëtuar deri më tani. Është e vështirë të përllogarisësh diçka që nuk ka ndodhur pasi i shpëtuam. Është një mesazh i rëndësishëm që mendoj se duhet të jepet”, thotë kapiteni Christopher F. Hill, komandant i luftanijes “USS Dwight D. Eisenhower”.
Lufta ndaj sulmeve pothuajse të përditshme të huthive është lënë në hije për shkak të luftës Izrael-Hamas në Gazë.
Deri më tani janë sulmuar mbi 50 anije drejtpërsëdrejti nga rebelët.
“Nuk mendoj se njerëzit e dinë se sa serioze është situata dhe se sa të rrezikuara vazhdojnë të jenë anijet. Huthitë godasin çdo ditë. Vetë luftanijet tona rrezikohen çdo ditë. Ne po i mbrojmë shkëlqyeshëm, po mbrojmë edhe vete. Por është e pandalshme”, thotë komandanti i luftanijes “USS Laboon”, Eric Blomberg.
Nga këto dhe sulme të tjera është rrezikuar transporti tregtar përmes korridorit të Detit të Kuq.
“Destrojerët kalojnë gjashtë nga shtatë ditët e javës në atë që ne e quajmë zona e angazhimit me armë, ku mund të goditen nga një varietet armësh të armikut, qofshin dronë, ose raketa anti-anije, me vetëdrejtim apo balistike. Fluturimi i këtyre mjeteve zgjat vetëm pak minuta dhe nga momenti kur pikasen mbeten vetëm disa sekonda”, thotë kapiteni David Wroe, komandant i destrojerëve me raketa.
Duket se shkëmbimet e zjarrit vetëm do të intensifikohen, duke shtuar rrezikun për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët.
“Aktualisht kemi bindjen e fortë se jo vetëm që Irani i mbështet financiarisht, por u jep mbështetje zbulimi. Dhe pjesa që del më shumë në lajme është mbështetja kinetike, pra ofrimi i armëve”, thotë kundëradmirali Marc Miguez, komandant i Grupit të Dytë të Aeroplanmbajtësve.
Rebelët huthi thonë se sulmet synojnë ndalimin e luftës dhe mbështetjen për palestinezët, megjithëse shpesh sulmohen anije që nuk kanë të bëjnë aspak me konfliktin.
Lufta në Gazë ka shkaktuar vdekjen e mbi 36 mijë palestinezëve, sipas të dhënave të autoriteteve mjekësore palestineze të drejtuara nga Hamasi, si dhe qindra të tjerë janë vrarë gjatë operacioneve izraelite në Bregun Perëndimor.
Konflikti filloi pasi militantët e Hamasit, një organizatë e cilësuar terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Evropian, sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 persona dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë. /VOA
Lajmet Luftimet me rebelët Huthi, më intensivet për Marinën Amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore >> Rahoveci INFO.