Liverpooli arrin marrëveshje me Florian Wirtz

Liverpooli thuhet se ka arritur një marrëveshje për të nënshkruar me yllin e Bayer Leverkusenit, Florian Wirtz, për një shumë rekord prej 116 milionë funtesh, sipas disa burimeve të besueshme në Angli.
Sipas gazetarit “The Times”, marrëveshja përfshin një pagesë fillestare prej 100 milionë funtesh, e cila mund të rritet deri në 116 milionë përmes bonuseve dhe shtesave të ndryshme. Ndërkohë, “The Athletic” raporton se Wirtz do të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare me klubin nga “Anfield”.
Ky pritet të jetë transferimi i dytë i verës për Liverpoolin, pasi më herët gjatë merkatos u zyrtarizua edhe afrimi i Jeremie Frimpong, një tjetër lojtar i Leverkusenit.
Wirtz pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore në ditët në vijim për të finalizuar transferimin.
Mesfushori gjerman ka qenë një nga lojtarët më të dalluar në Bundesligë në dy sezonet e fundit dhe ka luajtur një rol kyç në fushatën e pamposhtur të Leverkusenit, që kulmoi me fitimin e titullit kampion në sezonin 2023/24 nën drejtimin e Xabi Alonsos.
22-vjeçari largohet nga Leverkuseni pasi ka shënuar 57 gola dhe ka dhënë 65 asistime në të gjitha garat, ndërsa u shpall edhe Lojtari i Sezonit në Bundesligë.
Meqenëse Liverpooli nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube 2025, debutimi i tij me fanellën e kuqe pritet të vijë në Community Shield ndaj Crystal Palace.