Lista e zezë e SHBA-ve, Davkova: Gjykata duhet të jetë sinonim i drejtësisë

Zgjerimin e listës së zezë amerikane e komentoi edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova. Ajo tha se nuk duhet të qëndrojmë të qetë, duke lejuar që disa persona të cilët janë futur në listat e zeza, të vazhdojnë me aktivitetet e tyre të zakonshme. Ajo pret që gjykata dhe prokuroria publike të fillojnë veprimet. Theksoi se shqetësim i madh paraqet përfshirja e një gjyqtari në këtë listë të zezë.
“Kur lexuam emrin e gjyqtarit në listën e zezë, natyrisht që të gjithë duhet të ishim veçanërisht të shqetësuar, sepse gjykata duhet të jetë sinonim i respektimit të së drejtës dhe drejtësisë. Në fund të fundit, të gjithë qytetarët kërkojnë të drejtën dhe drejtësinë para gjykatës. Imagjinoni tani situatën – më vjen keq ta them, por duket se padrejtësia dhe qeverisja i njerëzve të shume fuqishëm i kanë bërë të gjitha institucionet të dobëta, dhe në këtë rast janë të nevojshme, në frymën e një misioni vlerësues, reforma të menjëhershme dhe hapa në të gjitha organet”, tha Gordana Siljanovska-Davkova.