“Liria ka emër” thotë se s’ka të bëjë asgjë me grafitet kundër Fadil Gecit
Pas grafiteve të vendosura në Prishtinë, kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së Fadil Geci, ka reaguar platforma “Liria ka emër”.
Kjo platformë thotë se nuk ka të bëjë asgjë me asnjë lloj veprimtarie jozyrtare, e posaçërisht grafiteve të cilat janë shfaqur sot në kryeqytet.
“Veprimtaria e platformës “Liria Ka Emër” është një dhe e vetme: mbrojtja, respektimi dhe promovimi i vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Liria Ka Emër” nuk ka qëllime politike dhe nuk është paltformë e cila merret me denigrimin e askujt. Mbi të gjitha, e gjithë veprimtaria e platformës tonë është legale, publike dhe transparente”, thuhet në reagim.
“Si e tillë, platforma ‘Liria Ka Emër’ kërkon mirëkuptimin e secilit qytetar të Republikës së Kosovës që t’a mbajnë larg nga diskursi, polemikat apo mosmarrëveshjet publike”.
“Liria Ka Emër”, tutje në postimin e saj në Facebook, ftoi organet e drejtësisë që të merren seriozisht me zbardhjen e këtij rasti sa më parë që është e mundur.
Grafitet e vendosura kundër Fadil Gecit vijnë pasi ai të martën dhe të mërkurën, Fadil Geci ka dëshmuar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.