Limaj kundër zgjedhjeve të reja

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është shprehur kundër zgjedhjeve të reja. Sipas tij, Kosovës i duhen sa më parë institucionet e reja.
Limaj tha të premten, më 9 maj, se sa më shpejt duhet një qeveri në punë, e cila sipas tij i jep dinamikë dhe impuls të ri ekonomisë.
“Po shpresoj që po harxhohen gjitha këto mundësi, eksplorime që janë duke i bërë forcat politike, momenti është me i thirr përgjegjësisë, të gjithë duhet të kuptojnë se institucionet kosovare urgjent duhet me i pas, bota, rajoni rreth neve është në trazim. Kosova nuk e ka luksin të vazhdojë të mbetet kështu sa më shpejt na duhen institucionet. Sa më shpejt na duhet një qeveri në punë, e cila i jep dinamikë dhe impuls të ri ekonomisë. Gjendja ekonomike kurrë më keq nuk ka qenë, duhet urgjentisht të marrim përgjegjësi pra të rilëvizur ekonominë e Kosovës, diplomacinë e Kosovës dhe shtetit t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë”, tha ai.
“Çka është kjo daum të shkojmë në zgjedhje, na kanë zgjedhur për t’i zgjedhur institucionet. Duhet të bashkëbisedosh, të ulesh dhe të tentosh me gjetë marrëveshje me atë që nuk pajtohet, me atë që pajtohesh nuk ka nevojë për marrëveshje”, shtoi ai.
I pari i Nismës ofroi mbështetjen e tij si parti për të kaluar këtë ngërç politik, por shtoi se forca që ka kjo parti nuk mund ta zhbllokojë situatën.
“Nuk kemi pas ftesa nga askush, unë pres që në këtë frymë forcat politike të jenë të përgjegjshme dhe të kryejnë misionin që e kanë para votuesve të vetë. Nisma në këtë drejtim do ta jap kontributin e vetë sipas mundësisë që e ka. kaq kemi fuqinë tonë politike, kaq kemi mundësinë, dhe në këtë masë që e kemi do të jemi të përgjegjshëm. Jo kështu sprovimi deri në limit të taktikave ose durimeve, të cilat besoj duhet tu jepet fund, njerëzit janë zgjedhur për t’i zgjedhur institucionet, Nuk zhbllokohet me votat tona kjo situatë dhe ju e dini, duhen forcat politike që kanë forcë të madhe në këtë vend”, theksoi ai.