Liga e Kombeve, Kosova kundër Rumanisë në ndeshjen vendimtare

(Lajm i përditësuar)
Kosova humbi raste ideale për gola në pjesën e parë
Ka përfunduar pa gola pjesa e parë e ndeshjes ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës në grupin C2 të Ligës së Kombeve.
Të përzgjedhurit e trajnerit Franco Foda kanë dominuar gjatë gjithë 45 minutave të para, madje krijuan raste të mira shënimi.
Muharrem Jashari, Edon Zhegrova e Vedat Muriqi ishin ata që patën raste ideale për t’i dhënë epërsinë dardanëve, por nuk ia dolën.
Kujtojmë se këto dy kombëtare po luftojnë për vendin e parë në grup, me rumunët që momentalisht kanë tri pikë më shumë se Kosova.
Liga e Kombeve, Kosova kundër Rumanisë në ndeshjen vendimtare
Në “Arena Kombëtare” të Bukureshtit ka nisur ndeshja ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës.
Për “Dardanët” kjo është ndeshje vendimtare nga e cila kërkohet vetëm fitore për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim direkt nga vendi i parë nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve që pastaj garanton rrugëtimin drejt Botërorit 2026.
Trajneri Frannco Foda ka nisur ndeshjen me sistemin 4-2-3-1 me Vedat Muriqin në krye të sulmit, të mbështetur nga Edon Zhegrova e Muharrem Jashari.
Rreth 50 mijë tifozë janë në tribuna për ta mbështetur Rumaninë, ndërsa një grup i vogël, rreth 50, i tifozëve dardanë kanë udhëtuar për ta mbështetur Kosovën.
Fishkëllehet gjatë himnit të Kosovës
Fishkëllimat nuk po ndalen në stadiumin në Bukuresht gjatë intonimit të himnit të Kosovës.
Rumani-Kosovë, formacionet zyrtare
Kosova do ta zhvillojë sfidën e parafundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve sonte në Bukuresht, ku do të përballet me liderin e grupit, Rumaninë.
Ballafaqimi nuk do të jetë aspak i lehtë, madje këtë e vështirëson edhe fakti se mund të ketë një atmosferë aspak miqësore në tribuna nga tifozët vendës, diçka që është dëshmuar tashmë edhe në ndeshjen e kaluar.
Trajneri i Kosovës, Franco Foda tha në konferencë për media para ndeshjes se ai pret lojë kualitative dhe se shanset për kualifikim direkt janë ende konkrete edhe pse ka mungesa të rëndësishme si Rashica, Rrudhani e Bersant Celina, raporton KosovaPress.
Rumania është lidere e grupit me 12 pikë, tri më shumë se Kosova në vendin e dytë, pason Qipro me tri pikë dhe Lituania e fundit pa asnjë pikë.
Ndeshja Rumani-Kosovë fillon nga ora 20:45 dhe tashmë janë publikuar edhe formacionet zyrtare:
Rumania: Nita; Ratiu, Dragusin, Burca, Bancu; R. Marin, M. Marin, Stanciu; Man, Dragus, Mihaila
Kosova: Muric, Vojvoda, Dellova, Rrahmani, Hadërgjonaj, Rexhbeqaj, Berisha, Zhegrova, Muslija, Jashari, Muriqi