Lëshohen 24 urdhër arreste, sekuestrohet 1.2 kg kokainë
Policia e Tiranës ka lëshuar 24 urdhër arreste në kuadër të megaoperacionit “Termpulli 3” për goditjen e narkotikëve.
Nga këto 24 urdhër arreste, 19 persona janë arrestuar, ndërsa 5 të tjerë janë në kërkim.
Këta persona shpërndanin lëndë narkotike, afër shkollave, dhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga të rinjtë, në zona të ndryshme të Tiranës.
Të dhënat u bërë me dije nga Drejtori i Policisë, Tonin Vocaj i cili bëri me dije se është sekuestruar 1.2 kilogram kokainë, qindra doza heroinë e kanabisi, 5 automjete, shuma të konsiderueshme parash, si dhe 12 aparate celularë.
“Sektori për Hetimin e Narkotikëve i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, dhe në vijim të dy megaoperacioneve mbarëkombëtare “Tempulli 1” dhe “Tempulli 2”, ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka regjistruar 2 procedime penale të vitit 2024. Pas një hetimi tremujor të kryer me metoda speciale të hetimit nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentinin e veprimtarisë kriminale të 24 shtetasve. Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe u finalizua faza e dytë e operacionit “Tempulli 3”, në kuadër të të cilit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për 19 shtetas, si dhe vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë të cilët ndiqen me masa kërkimi. Gjatë operacionit u arrestuan 19 shtetas ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, konkretisht: K. H., 26 vjeç, D. K., 39 vjeç, O. V., 21 vjeç, H. F., 20 vjeç, F. Gj., 32 vjeç, V. Xh., 42 vjeç, A. Xh., 52 vjeç, O. I., 62 vjeç, L. K., 26 vjeç, M. K., 32 vjeç, K. H., 24 vjeç, R. M., 25 vjeç, M. S., 18 vjeç, R. Sh., 33 vjeç, D. G., 21 vjeç, R. D. (S.), 52 vjeçe, E. B., 37 vjeçe, A. Sh., 33 vjeç, B. K., 34 vjeçe (arrestuar më parë gjatë zhvillimit të hetimeve)”, bëri me dije Vocaj.
Ky i fundit sqaroi ndërkaq, se mes të arrestuarve është edhe 52-vjeçari i akuzuar për veprën penale “Vrasje me dashje”.
“Mes të arrestuarve është dhe shtetasi Armando Xheladini alias Armando Tarushllari alias Jetnor Cinallari 52-vjeç, banues në tiranë i cili ëhstë arresuar në maj për vrasje me dashje kryer në bashlkëpunim për ngjarjen e ndodhur në shtetin grek më 2008”, tha Vocaj.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
➢ 1.2 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë;
➢ qindra doza të lëndëve të dyshuara narkotike heroinë dhe kanabis;
➢ 12 celularë;
➢ 5 automjete;
➢ shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe valuta të tjera, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike.
Lajmet Lëshohen 24 urdhër arreste, sekuestrohet 1.2 kg kokainë >> Rahoveci INFO.