Lëkundet koalicioni LDK-PDK në kryeqytet, nesër seanca e jashtëzakonshme

Me arsyetimin se nuk punuan sa duhet, kryetari i Prishtinës nisi një “ristrukturim” të qeverisjes në kryeqytet që nisi me shkarkimin e drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu dhe vazhdoi me shkarkimin e nënkryetares, Donjeta Sahatçiu, e cila regoi. Këta dy, që vijnë nga PDK-ja, thonë se Përparim Rama po u hakmerret pasi kundërshtuan këmbimin e një prone komunale. Nesër mbahet një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal në kryeqytet.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u këndellën në zgjedhjet lokale të nëntorit të vitit 2021, pak pasi kishin pësuar një humbje të rëndë nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare në shkurt të po atij viti.

Dy partitë që e kanë kundërshtuar historikisht njëra-tjetrën, por edhe kanë bashkëpunuar, qeverisin bashkë në kryeqytet, në një koalicion që ka disa ditë që po lëkundet fort.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama të premten e shkarkoi nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun nga PDK-ja, një lëvizje e papritur sipas këtij të fundit, që thotë se nuk është paralajmëruar e as s’i është dërguar vendimi.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave. Si kryetar i kryeqytetit tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar por, përkundrazi, është përkeqësuar. Andaj, sot kam marrë vendim për të liruar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike”, shkroi Rama në Facebook.

Reagoi shpejt nënkryetarja e Komunës, Donjeta Sahatçiu e PDK-së, e cila e akuzoi Ramën për hakmarrje. Tha se Musliu u shkarkua për shkak të qëndrimit të PDK-së kundër këmbimit të një prone komunale me një pronë private në Badoc.

“Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e u.d. drejtore e Arsimit nuk pata pranuar të nënshkruaja deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit, me specifika e planifikim buxheti skandaloz. Njëjtë Përparim Rama, si zyrtar kryesor administrativ, ka mundur të jepte urdhër për çfarëdo procesi që paska mundur të rregullonte menaxhimin e mbeturinave pa njohurinë dhe përfshirjen e Ilirikut. Pse nuk e ka bërë, e di ai vetë”, shkroi ajo.

Vetë Sahatçiu do të shkarkohej pak ditë më pas. Rama njoftoi dje se e ka liruar nga detyra nënkryetaren, me arsyetimin se ajo nuk ka punuar sa e si duhet në projektin e digjitalizimit.

“Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znj. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Jehona Lushaku – Sadriu, e kam emëruar Nënkryetare të Kryeqytetit dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Lushaku – Sadriu është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale”, shkroi Rama në Facebook.

“Prishtina na bashkoi, Badoci na ndau”, shkroi Sahatçiu në Facebook pas shkarkimit. Jehona Lushaku e LDK-së u emërua nënkryetare në vend të saj.

Duke njoftuar edhe për disa ndryshime të tjera në kabinetin qeverisës, Rama tha se po bën një “ristrukturim”. Në vendimet tjera, Drejtoria e Planifikimi dhe ajo e Urbanizmit u shkrinë në një, duke e larguar kështu nga kabineti drejtoreshën e deritanishme të Planifikimit Strategjik, Mimoza Sylejmani, e cila do të jetë këshilltare e kryetarit. Këtë drejtori u vendos ta drejtojë arkitekti Arbër Sadiki.

Rama njoftoi edhe për vendimin për shkrirjen e Drejtorisë së Pronës dhe Drejtorisë së Kadastrit në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga Doruntina Maloku, ndërsa drejtori i deritanishëm i Kadastrit, Donat Lushaku, u tha se do të emërohet zëdhënës.

Në vend të Ilirik Musliut të shkarkuar të premten, Rama vendosi që Drejtorinë e Shërbimeve Publike në kryqytet ta drejtojë Bekim Brestovci.

Njoftoi edhe për krijimin e një drejtorie të re: Drejtorinë për Transformim, në krye të së cilës e emëroi Ilir Murselin.

Çështja e këmbimit të pronave

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka miratuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi për ta shtyrë ekzekutimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbimin e pronës komunale në “Prishtina e Re” me prona private në Badoc.

Një tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje është vendosur nga Kuvendi Komunal i Prishtinës që të këmbehej me një pronë gati trefish më të madhe në zonën Prishtina e Re.

Asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin ndihmuar për ta bërë kuorumin kur u mor vendimi për këmbim në dhjetor të vitit të kaluar.

Pasi Donjeta Sahatçiu u shkarkua nga posti i nënkryetares në kryeqytet, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku shkroi se ajo nuk pranoi të jetë pjesë “e skemave abuzive qoftë me pronat në Badovc, qoftë në procesin e digjitalizimit”.

“Donjetë, je dhe ke me mbet faqebardhë. Vetëm përpara. E Përparimit përgjigjen e merituar do t’ia japim zyrtarisht. Jo në Facebook”, shkroi Çitaku.

Rama insiston se procesi i këmbimit të pronave, për të cilin thotë se ka filluar në qeverisjen e kaluar, është i ligjshëm. Ai thotë se Ministria e Financave i ka vlerësuar tokat para se ai të vinte në karrigen e kryetarit dhe sipas tij, pronën në Badoc me 8 milionë euro, ndërsa atë komunalen me 3 milionë euro. Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, thotë se për këtë vendimi i takon Komunës dhe duhet pyetur Komuna.

Një seancë është thirrur për nesër

Nesër, një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës do të mbahet me fillim nga ora 14:00.

Propozim-vendimi për anulimin e vendimit për këmbimin e këtyre pronave do të jetë në rend të ditës.

Seanca u thirr të dielën nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, që të dielën mblodhën nënshkrimet e nevojshme.

Çarja në koalicionin LDK-PDK në kryeqytet nisi para disa muajt, kur drejtorët e të dy partive injoronin aktivitetet e njëra-tjetrës. Në disa raste, asambleistët e PDK-së bojkotuan seancat e Kuvendit Komunal.

Lajmet Lëkundet koalicioni LDK-PDK në kryeqytet, nesër seanca e jashtëzakonshme >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>