Lavrov kërkon të aterroj në Shkup, refuzohet nga Bujar Osmani

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov ka bërë kërkesë që të udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut.
Kryediplomati rus e ka parashtruar këtë kërkesë për të marrë pjesë në Këshillin Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE që do mbahet në fund të këtij muaji në Shkup, pasi Maqedonia e Veriut po kryeson këtë organizatë.
Lajmi është konfirmuar nga shefi i diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani.
“Kam marrë një letër para disa ditësh nga ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë në të cilën ai ka theksuar kërkesën për të siguruar praninë e tij në Shkup. Ka disa sfida rreth kësaj kërkese, sepse hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut dhe fqinjëve tanë është e mbyllur për fluturimet shtetërore ruse, prandaj këtu duhet të bëhen disa përpjekje logjistike”, konfirmoi Osmani.
Ai shtoi se të gjitha vendet anëtare duhet të marrin pjesë në këtë Këshill të OSBE-së, por kjo do të varet nga vendimet që do të merren në ditët në vijim.
Osmani tha se OSBE-ja në 50 vjetët e ekzistimit të saj po përballet me krizë të thellë, pasi nga viti 2021 ka buxhetin e bllokuar, ndërsa nuk ka arritur të zgjedhë as drejtuesit në disa pozita kyçe.
Lajmet Lavrov kërkon të aterroj në Shkup, refuzohet nga Bujar Osmani >> Rahoveci INFO.