Lamtumira e yllit të futbollit kosovar, Xhevdet Shabani: Jetën do ta vazhdoj në Francë, ky është pengu i karrierës

Xhevdet Shabani është një ndër futbollistët më cilësor dhe më të suksesshëm që është aktivizuar në futbollin e Kosovës në dekadën e fundit.

Lojtari nga Kaçaniku i njohur si “Rrapa”, në moshën 36-vjeçare i ka dhënë fund karrierës së tij të gjatë.  

Sulmuesi anësor ka fituar disa tituj në Superligën e Kosovës me klube të ndryshme duke u shpallur dy herë kampion me FC Dritën dhe një herë me Feronikelin. Gjithashtu ai e fitoi edhe Kupën e Kosovës me Besën nga Peja.

Në vitin 2018 nga Federata e Futbollit e Kosovës u shpall lojtari i vitit në Kosovë sa ishte pjesë e Dritës.

Shabani pas përfundimit të karrierës është rrëfyer në një intervistë për Rahoveci.INFO.

Futbollisti që së fundmi ishte pjesë e Feronikelit 74, ka vendosur që ta vazhdojë jetën në Francë pranë familjes së tij.

“Karrierën e kam përfunduar dhe jetën do ta vazhdojë në Francë. Në këtë shtet e kam siguruar punën dhe atje do të jem pranë familjes sime. Nuk e përjashtoi mundësinë që të vazhdoj futbollin në liga amatore nëse më jepet mundësia dhe koha”, ka thënë Xhevdet Shabani për Rahoveci.INFO.

FC Malisheva, KF Feronikeli, FC Prishtina, FC Drita, FC Besa, KF Teuta Durrës, KF Lepenci dhe KF Ferizaj janë klubet në të cilat është paraqitur në karrierën e tij, sulmuesi kaçanikas.  

Tutje, Shabani foli edhe për momentet më të mira në karrierë.

“Momenti më i mirë në karrierë ka qenë shpallja kampion për herë të parë me skuadrën e Dritës dhe në të njëjtin vit jam shpallur lojtari më i mirë në Kosovë (2018). Drita është skuadra ku kam kaluar momentet më të mira në karrierë. Kjo lidhet me suksese e arritura, titujt e fituar dhe sukseset që i kemi korrur në garat ndërkombëtare. Aty e kam arritur kulmin e karrierës. Dritën e konsideroj familje të dytë dhe kam respekt maksimal për tifozët “Intelektualët”, megjithatë, me këtë rast dua t’i falënderoj edhe klubet tjera ku kam luajtur”, pohoi Xhevdeti duke folur edhe për momentin më të keq në karrierë.

“Momentin më të keq e vlerësoj rënien nga liga me skuadrën e qytetit tim, Lepencin e Kaçanikut. Ky ka qenë moment shumë i rëndë për mua dhe shokët e ekipit”.

Shabanit i ka mbetur edhe një peng në karrierë.

“Meraku më i madh mbetet që nuk arrita të luaj në ndonjë skuadër evropiane. Gjithsesi, duke i parë vështirësitë që ka kaluar futbolli kosovar, mendoj se kam arritur mjaft shumë”, përfundoi Xhevdet Shabani.

FC Drit

Lajmet Lamtumira e yllit të futbollit kosovar, Xhevdet Shabani: Jetën do ta vazhdoj në Francë, ky është pengu i karrierës >> Rahoveci.INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!