Lajçak përfundon mandatin si ndërmjetësues i dialogut

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, më 31 janar përfundoi mandatin e tij pesë vjeçar si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi. Lajçak tha se sfida më e madhe gjatë misionit të tij ka qenë mos bindja e palëve në zbatimin e marrëveshjes. Analistët vlerësojnë se në këndvështrimin diplomatik të jashtëm emisari Lajçak konsiderohet i suksesshëm, por sipas tyre, Lajcaku nuk ka punuar në favor për interesat e Kosovës.
E premta ishte dita e fundit e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, si ndërmjetës i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Gjatë një takimi me deputetët e Parlamentit Evropian i cili ishte i mbyllur për publikun, Lajçak u lavdërua për punën e tij pesë vjeçare me theks të veçantë për arritjen e marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Emisari në largim Lajçak në një deklarim për median Nacionale, ka treguar se sfida më e madhe gjatë mandatit të tij si ndërmjetës i dialogut Kosovë-Serbi, ka qenë mosbindja e palëve për zbatimin e marrëveshjes.
“Një nga pengesat më të mëdha është besimi inekzistent mes dy palëve. Kjo është arsyeja pse faza e zbatimit nuk ka filluar në thelb. Si Kosova ashtu edhe Serbia duan të jenë të sigurt se nëse bëjnë atë që u kërkohet të bëjnë, do ta marrin atë që u është premtuar, por në të njëjtën kohë askush nuk dëshiron të jetë ai që fillon të japë. Sigurisht, retorika e nxehtë nga të dyja palët dhe dhuna në veri në vitin 2023, si dhe veprimet e rregullta kryesisht të pakoordinuara kundër strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, nuk kanë kontribuar në rritjen e besimit mes tyre”, tha ai.
Profesori universitar i shkencave politike, Dorajet Imeri, konsideron se emisari Lajçak nuk ka treguar sukses për shkak të qasjes së balancuar në dialog.
“Qasja që ka aplikuar Lajçak dhe BE-ja ndaj dialogun unë konsideroj se kjo nuk mund të prodhoj rezultat pozitiv. BE-ja duhet të rishikoj modelin e dialogut dhe t’i sheh palët si të barabarta. Pres nga i dërguari i ri t’i ketë parasysh këto vërejtje”, tha Imeri për rtv21.
Drejtor në Institutin e Kosovës për Siguri dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Florim Rullani, tha se në këndvështrimin diplomatik emisari Lajçak konsiderohet i suksesshëm pasi, siç vlerëson ai, ka arritur që t’i bindë palët për një marrëveshje në të cilën parashihet edhe themelimi i Asociacionit.
“Për opinionin e jashtëm duket mjaft i suksesshëm sepse ka arrite marrëveshjen e Ohrti ku i ka ulë të dy palët Kosovën dhe Serbinë të cilat kanë përgjegjësitë e tyre është edhe formimi i Asociacionit. Këtë Asociacion e ka marrë nga një lider i cili ka kundërshtuar gjithmonë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.
Por, Rullani thotë se Lajçaku nuk ka punuar në favor për Kosovën.
“Lajçak e ka dëmtuar shumë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai është kontribuues i madh që Kosova është nën sanksione”, tha ai.
Qeveria e Kosovës e kishte akuzuar emisarin Miroslav Lajcak për anshmëri në proces të dialogu sidomos për zbatimin e marrëveshjes vetëm në pikën ku flitet për Asociacionin.
Nga sot fillon punën emisari i ri i BE-së për dialogun, Peter Sorensen./RTV21/21Media