Kuvendi nuk konstituohet as për 31–ën herë

Kuvendi i Kosovës as për tentimit e 31-të nuk ka arritur të konstituohet.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari edhe këtë seancë e nisi me kërkesën për formimin e komisionit për votimin e fshehtë, por Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë refuzuar të japin emrat, me arsyetimin se ka shkelje të rregullores, pasi seanca ka nis me votim të hapur dhe po tentohet të vazhdohet me votim të fshehtë.
Dehari hedhi në votim formimin e këtij komisioni, pa emrat e partive, por nuk mori votat e mjaftueshme.
“Për kanë votuar 47 deputetë, kundër dhe abstenim nuk ka. Nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës, ndërpritet seanca dhe shihemi më 15 qershor, në orën 11:00“, tha ai.
Tridhjetë episodet e deritanishme të telenovelës që do të mbahet mend gjatë, kanë dështuar në mungesë të votave të Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo e Alternativa për kryetar të ri të Kuvendit.
Albulena Haxhiu gjashtë herë ‘ka rënë nga provimi’ direkt me vota të hapura dhe më shumë se njëzet herë ka dështuar formimi i komisionit për mbikëqyrjen e procesit të fshehtë të votimit, të cilin po e kundërshtojnë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA.
Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar për interpretim në Kushtetuese mënyrën e fshehtë të votimit për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.
Vazhdimi i seancës konstituive duhet të mbahet çdo dyzetetetë orë derisa të konfirmohet përbërja e re e Kuvendit.