Kuvendi miraton Komisionin e Posaçëm Antikorrupsionin
Kuvendi miratoi me 74 vota pro dhe 6 kundër projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.
Qëllimi i ngritjes së këtij komisioni është që të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi, me synim përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet.
Po ashtu synohet thellimi i luftës kundër korrupsionit dhe forcimi i mëtejshëm i zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria ‘Për shtetin e së drejtës’ dhe ‘Reformën në administratën publike’”.
Komisioni i Posaçëm ka për objekt hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse.
Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare.
Lajmet Kuvendi miraton Komisionin e Posaçëm Antikorrupsionin >> Rahoveci INFO.