Kurti u takua me kryeministrin e Vanuatu, Charlot Salwai
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua dje në New York me Kryeministrin e Vanuatu, Charlot Salwai.
Palët u takuan në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas një komunikate nga zyra e kryeministrit bëhet e ditur se në këtë takimi u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në tregti, shkëmbime kulturore dhe edukim dhe për politikat e dy vendeve në përballje me ndryshimet klimatike.
“Kryeministri trajtoi dhe avancimin e shtetit tonë në tri vitet e fundit, politikat e ndërmarra në sektorë kyçë dhe perspektivën për të ardhmen. Ai nënvizoi sundimin e ligjit, sigurinë, luftimin e korrupsionit dhe iniciativat në fushën e diplomacisë, e për të cilat shprehu gatishmërinë e Kosovës që të ndajë përvojat respektive përmes trajnimeve dhe akademive në vendin tonë”, thuhet në komunikatë.
Duke shprehur vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit dhe për më shumë shkëmbime mes dy vendeve, kryeministri Kurti e falënderoi kryeministrin e Vanuatu Charlot Salwai për takimin dhe bisedën.