Kurti takohet me Hargreaves, flasin për mosanëtarësimin e Kosovës në KiE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim dje Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se temë diskutimi ishte rezultati i mbledhjes së djeshme në Këshillin e Evropës, çështjet bilaterale dhe rajonale, si dhe projektet e përbashkëta.
“Kryeministri e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur dje gjatë takimit të komitetit të ministrave në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. E falënderoi gjithashtu edhe për mbështetjen në projektet e përbashkëta, ku veçoi ndihmën për zgjerimin e projektit për verifikimin e diplomave për studentët nga komuniteti serb për qëllime punësimi në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në takim është folur edhe për rezultatet e takimit e tretë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6) për Planin e Rritjes që u zhvillua dje në Kotorr të Malit të Zi dhe Deklaratën e Përbashkët nga ky takim.
“Kujtojmë që Deklarata e Përbashkët nga samiti i djeshëm në Kotor, mes tjerash bën thirrje për trajtim të barabartë në CEFTA, zbatim të plotë marrëveshjeve të arritura në Procesin e Berlinit si dhe kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor Gjashtë të bëhen pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar”, thuhet tutje në njoftim.
Lajmet Kurti takohet me Hargreaves, flasin për mosanëtarësimin e Kosovës në KiE >> Rahoveci INFO.