Kurti në Mal të Zi flet për axhën e tij që ishte i burgosur politik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së Samitit BE-Ballkani Perëndimor ka folur pak për historinë e axhës së tij në Mal të Zi si i burgosur politik nga regjimi i Millosheviqit.
Kurti këtu përmendi edhe burgosjen e tij, derisa në cilësinë e kryeministrit falënderoi Malin e Zi që u bë strehë e shqiptarëve që po iknin nga gjenocidi më 1999.
“41 vjet më parë në Kotorr ishte xhaxhai im i burgosur politikisht për 3 muaj. Ai vjen nga një fshat Sukobin, që është në komunën e Ulqinit, në kufi me Shqipërinë. 25 vjet më parë unë u bëra i burgosur politik dhe më vonë i burgosur i luftës. Ishte koha kur regjimi i Millosheviqit po ushtronte gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe në Mal të Zi ne patëm një mik, sepse refugjatët shqiptarë që i shpëtuan masakrës, projektit serb për shfarosjen e tyre, gjetën strehë në Malin e Zi ku hasën mikpritjen banorëve vendas. Tani jam përsëri në Kotorr pas disa vjetësh të konferencave të ndryshme si kryeministër i Kosovës për herë të parë dhe në të njëjtën kohë jam shumë i lumtur që axha im është i lirë dhe i shëndoshë në Sukobin”, tha ai.
Pasi foli edhe për Procesin e Berlinit dhe Planin e Rritjes, në fund të konferencës, Kurti përshëndeti në shqip kushërinjtë e tij në Mal të Zi.
“Përshëndetje, të gjithë atyre që kuptojnë shqip, posaçërisht kushërinjve të mi prej Sukobinës deri në Ulqin”, tha mes tjerash Kurti.
Lajmet Kurti në Mal të Zi flet për axhën e tij që ishte i burgosur politik >> Rahoveci INFO.