Kurti: Mërgimtarët nga e hëna mund ta marrin falas policën e sigurimit, Kosova ju pret me krahë t’hapur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është drejtuar mërgimtarëve me një postim në profilin e tij në “Facebook”, ku i ka njoftuar se nga e hëna, ata që vijnë me automjete do të marrin falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.
Kurti u ka uruar atyre mirëseardhje në vendlindje, derisa ka thënë se Kosova i pret me krahë t’hapur.
“Ju që do të vini me automjete, nga e hëna mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse. Mirë se vini në vendlindje! Pushime të këndshme!”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar dje se bashkë me Ministrin Xhelal Sveçla, Guvernatorin e BQK’së dhe Byronë Kosovare të Sigurimeve, kanë nënshkruar marrëveshjen e cila operacionalizon subvencionimin nga Qeveria të policës kufitare për bashkatdhetarët tanë.
“Duke filluar nga e hëna, me datë 1 korrik, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse. Polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri 1 muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse”, njoftoi Murati.
Ai sqaroi se në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij 1 mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj.
“Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi”, shkroi Murati.
Lajmet Kurti: Mërgimtarët nga e hëna mund ta marrin falas policën e sigurimit, Kosova ju pret me krahë t’hapur >> Rahoveci INFO.