Kryeziu: Dialogu dhe anëtarësimi në Këshill të Evropës procese të ndara, kushtëzimi e faktorizon Serbinë
Në kohën kur Qeveria ka kërkuar sërish që Kosova të futët në agjendën e Komitetit të Ministrave për anëtarësim në Këshillin e Evropës, është riaktualizuar kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë zyrtarë të lartë Amerikan dhe Evropian, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ana e Qeverisë.
Por, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha për rtv21 se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Sipas tij, ajo që është arritur në proces të anëtarësimit nuk mund të kthehet prapa.
“Republika e Kosovës dhe Qeveria e saj ka treguar vullnet të jashtëzakonshëm që të përmbush të gjitha kriteret zyrtare për anëtarësim dhe të adresojë të gjitha vërejtjet e identifikuara nga raportuesja Bakoyannis. Në fund, raporti i saj ka rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evripës pa kushte shtesë, dhe ai raport ka mbështetjen e 82% të votave të Asamblesë së Përgjithshme të KiE. Pra Kosova e ka përmbushur pjesën saj. Ajo që është arritur në proces të anëtarësimit nuk mund të kthehet prapa” tha Kryeziu për rtv21.
Ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka kërkuar progres në procesin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve, specifikisht për Kosovën themelimin e Asociacionit, duke e ndërlidhur me rrugën integruese dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare përfshirë edhe Këshillin e Evropës.
Po ashtu, O’Brien, i cili qëndroi javën e kaluar për vizitë në Kosovë, tha se moskoordinimi i veprimeve të Qeverisë me SHBA-të do të ketë pasoja “dhe pasoja më e madhe ishte që shtetet në Evropë nuk mundësuan pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.
Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se tani “Topi është në anën e Qeverisë së Kosovës” duke shtuar se dërgimi i draftit-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese është një mundësi për përparim në anëtarësim në KiE, pasi sipas tij, herën e parë Kosova dështoi sepse nuk e dërgoi draftin në Kushtetuese.
Por, Qeveria është e bindur se Këshilli i Evropës dhe dialogu me Serbinë janë dy procese të ndara. Zedhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, tha për rtv21 se ndërlidhja e dialogut me procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE e faktorizon Serbinë dhe kontribuon në shkelje të marrëveshjes.
“Njëra zhvillohet në Strasburg dhe tjetra në Bruksel. Ndërlidhja e tyre vetëm sa e faktorizon Serbinë në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke kontribuar kështu në mosrespektimin dhe shkeljen e nenit 4 të Marrëveshjes Bazike. Ne besojmë që anëtarësimin në organizatën më të vjetër të kontinentit që promovon të sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, duhet të jetë e drejtë e fituar në mënyre meritore, e jo e kushtëzuar nga procese jashtë saj” tha Kryeziu për rtv21.
Në maj të këtij viti Kosova nuk kishte arritur të futët në agjndë të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Kjo për shkak se disa shtete e kishin kushtëzuar këtë proces me dergimin nga ana e Qeverisë së Kosovës të draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për intepretim.
Franca dhe Gjermania kishin kërkuar nga Kosova që të ndërmarrë hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, menjëherë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte miratuar në prill rekomandimin që Kosova të pranohej në këtë organizatë. Por, një kërkesë të tillë e kishte refuzuar kryeministri, Albin Kurti, me arsyetimin se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është çështje e ndarë nga Këshilli i Evropës./RTV21/21Media