Kryeministri Kurti për mediumin austriak: Perëndimi nuk po më trajton siç po e trajtojnë Vuçiqin

Kurti për “Der Standard”: Perëndimi nuk po më trajton siç po e trajtojnë Vuçiqin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën austriake Der Standard, tha se Perëndimi nuk e trajton njësoj sikurse trajtohet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Në përgjithësi, nuk ndjej se më trajtojnë njësoj”, tha Kurti teksa shpjegoi në thelb pse ndihet kështu.

“Perëndimi ka njëfarë frike nga potenciali destabilizues i Serbisë – dhe nga ana tjetër, ekziston naiviteti të mendosh se Serbia mund të detyrohet të kthehet së shpejti përsëri në Perëndim”.

Prandaj, sipas vlerësimit të tij, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – “po bien në një gropë, skajet e së cilës janë aktualisht pritshmëri të ulëta të Vuçiq-it, por pritshmëri të larta afatmesme prej tij”.

I pyetur se a duhet të kthehen serbët që u larguan nga Policia e Kosovës në fillim të nëntorit, Kurti theksoi se “nuk i përjashtoj” por as “nuk i bëj thirrje të kthehen”.

“Ne i kemi rishpallur të gjitha pozitat që kanë mbetur vakante në polici, nuk kam ndërmend të zëvendësoj serbët me shqiptarë. Një komision do të vendosë se kush do të pranohet”, tha ai.

Në këtë intervistë, kreu i ekzekutivit, foli përsëri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, themelimi i së cilës po kërkohet gjithnjë e më shumë nga zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kurti fillimisht theksoi prerazi se “Kushtetuta nuk lejon bashkësi të bazuara në kritere etnike” duke dhënë edhe një shpjegim interesant lidhur me këtë çështje.

“I kam thënë Vuçiç-it që e kam përshtypjen se ai nuk dëshiron asociacion të komunave, sepse nuk mund të kërkosh asociacion dhe të thuash çdo javë: Nuk do ta njoh shtetin e Kosovës. Nuk mund të servosh një makiato pa një filxhan kafeje”.

Sa i përket fillimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në bazë të propozimit franko-gjerman për normalizimin e raporteve, ai tha se për momentin Beogradi nuk është aspak i interesuar për një marrëveshje kornizë me Kosovën.

“Vuçiç ka thënë vazhdimisht se nuk është i interesuar për një marrëveshje të tillë. Ai është i interesuar për menaxhimin e krizave, për fenomenin e zjarrvënësit dhe zjarrfikësit. Ju ndezni zjarre, pastaj vishni shpejt një xhaketë tjetër dhe thoni, unë mund ta shuaj zjarrin!”.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!