Kryeministri i Serbisë, Vuçeviq sot viziton Maqedoninë e Veriut
Kryeministri i Republikës së Serbisë, Millosh Vuçeviq sot me delegacion qeveritar, do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut. Vuçeviqi do të pritet nga kryeministri Hristijan Mickoski.
Siç njoftojnë nga shërbimi për shtyp i qeverisë, në kuadër të vizitës do të mbahet takimi tet-a-tet mes kryetarëve të qeverive të të dyja vendeve, ndërsa më pas edhe takimi plenar mes dy delegacioneve, pas çka do të pasojë nënshkrimi i memorandumit për bashkëpunim mes Ministrisë së Maqedonisë për Energjetikë, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Ministrisë serbe të Minierave dhe Energjetikës.
Është paraparë edhe konferencë e përbashkët e Mickoskit dhe Vuçeviqit.
Sipas Qeverisë së Serbisë, Vuçeviqi do të ketë takim edhe me përfaqësues të shoqatave serbe, shoqërive kulturore-artistike, partive politike, si dhe kompanive serbe të cilat punojnë në Maqedoninë e Veriut./TV21