Kryeministri i ri britanik: Ndryshimi fillon tani – Sunak: Unë e marr përgjegjësinë për humbjen

Mëngjesin e së premtes, kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhë, Keir Starmer, u zotua se do të sjellë ndryshime në Britani.

“Ne kemi thënë se do t’i japim fund kësaj rrëmuje, dhe do ta bëjmë; ne kemi thënë se do t’ia nisim nga e para, dhe e kemi bërë. Sot, ne e fillojmë kapitullin e ri, e nisim punën e ndryshimeve, misionin e një ripërtërirje kombëtare dhe fillimin e ndërtimit të vendit tonë”, tha Starmer.

Ndërkohë, Sunak e mori përgjegjësinë për disfatën e partisë së tij dhe kërkoi falje.

Ai tha se i ka telefonuar Starmerit për ta uruar për fitoren.

“Ka shumë gjëra nga të cilat duhet të mësojmë dhe për të cilat duhet të reflektojmë dhe unë e marr përgjegjësinë për humbjen”, tha ai.

Përderisa Britania e ka shmangur trendin e kthimit nga e djathta që është parë së fundmi në Evropë, përfshirë në Francë dhe në Itali, shumë prej rrymave të njëjta populiste paraqiten në Britani.

Udhëheqësi i Reform UK, Nigel Farage, bëri fushatë me mesazhe kundër emigrantëve dhe mori një pjesë të mbështetësve nga konservatorët, të cilët pritej të përballeshin me zhgënjim.

Farage u bë deputet për herë të parë, pasi partia e tij i fitoi katër ulëse në Parlament në zgjedhjet e 4 korrikut.

Britania ka përjetuar disa vite të trazuara – pjesërisht për fajin e konservatorëve – që kanë shkaktuar pesimizëm në mesin e shumë votuesve për të ardhmen e vendit të tyre.

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, pasuar nga pandemia e COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës, i dhanë goditje të rënda ekonomisë, ndërsa festat që shpërfillën rregullat e izolimit, të organizuara nga kryeministri i atëhershëm Boris Johnson dhe stafi i tij, shkaktuan zemërim të gjerë.

Pasardhësja e Johnsonit, Liz Truss, tronditi ekonominë edhe më tej me një pako shkurtimesh drastike të taksave, dhe qëndroi vetëm 49 ditë në detyrë.

Sunak, i cili e zëvendësoi Trussin, më pak se dy vjet më parë, shpalli zgjedhjet e 4 korrikut pavarësisht sondazheve që parashihnin humbje të partisë së tij.

Analistët vlerësuan se ai e pa arritjen e disa sukseseve në ekonomi – sikurse rënia e inflacionit dhe rritja ekonomike – si momentin më të mirë për të çuar vendin në zgjedhje.

Sunak do t’ia paraqesë zyrtarisht dorëheqjen mbretit sot pasdite.

Starmer, si udhëheqës i partisë fituese, do të takohet më pas me mbretin, i cili do t’i kërkojë atij ta formojë një Qeveri.

Më pas, kryeministri i ardhshëm zakonisht shkon në Douning Street për ta mbajtur një fjalim para publikut.

Gjatë ditëve në vijim, udhëheqësi i ri do ta fillojë emërimin e ministrave të Qeverisë, duke filluar nga postet e larta dhe duke kaluar në role me më pak përgjegjësi.

Parlamenti pritet ta rinisë punën më 9 korrik. Kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit do të zgjidhet nga radhët e deputetëve të Parlamentit.

Secili deputet më pas do ta bëjë betimin për besnikëri ndaj mbretit ose do ta bëjë një pohim solemn (deklarim se do ta thotë të vërtetën). Kjo procedurë zakonisht zgjat disa ditë.

Hapja e Parlamentit dhe Fjalimi i Mbretit, që përcakton programin e legjislacionit të Qeverisë për seancën parlamentare, priten më 17 korrik, megjithëse kjo datë mund të ndryshohet nga Qeveria e ardhshme.

Lajmet Kryeministri i ri britanik: Ndryshimi fillon tani – Sunak: Unë e marr përgjegjësinë për humbjen >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>