Kreu i PDK-së në Belgjikë, flet për zgjedhjet në Kosovë

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të konstituimit të Degës së PDK-së në Belgjikë, të mbajtur në Bruksel, ku kryetar u zgjodh aktivisti Jetlir Llugani.

Krasniqi tha se rritja dhe fuqizimi i PDK-së në mërgatë nuk është i rastësishëm, pasi lidhja mes tyre është krijuar përmes shumë dekadave të luftës, sakrificës për një të ardhme më të ndritshme.

 “Shpreh një falënderim nga zemra për ju mërgatën tonë, heronjtë e heshtur të shtetit tonë dhe, si të tillë, ju jeni pjesë e pandashme për të ardhmen evropiane të Kosovës. Siç e kam deklaruar edhe më parë, nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen këtë vit, ju duhet të jeni dhe do të jeni të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës edhe me deputetë nga mërgata” tha ai.

Kreu i PDK-së kritikoi Qeverinë Kurti për prishjen e raporteve me aleatët ndërkombëtarë duke thënë se kjo qeveri e ngarkuar me detyrën e shenjtë për t’i shërbyer interesave të popullit ka dështuar mjerisht.

“Për herë të parë në histori të këtyre marrëdhënieve, Kosova është nën sanksione nga BE. Edhe këtë javë, gjatë takimeve të mia me zyrtarë te lartë evropianë, vërehet zhgënjimi me nivelin e raporteve tona. Në fakt, për Kosovën, nën udhëheqjen e kësaj Qeverie, sot po diskutohen skenarë shumë më të errëta e fare pak për një perspektivë evropiane për ne. Njëjtë, raportet e Kosovës me aleatin tonë më të madh, SHBA-të, kanë rënë në pikën më të ulët ndonjëherë. Por, pasojat e veprimeve të kësaj Qeverie shtrihen shumë përtej sferës së diplomacisë. Ata po u shkaktojnë vuajtje të panumërta qytetarëve tanë, duke rrënuar shëndetësinë, arsimin, ekonominë, infrastrukturën, kulturën, sportin dhe çdo segment tjetër”, shtoi lideri i PDK-së.

Ai tha se detyrë e PDK-së është nxjerrja e vendit nga kjo situatë e rëndë.

“Në analet e historisë sonë, dy emra shquhen për ndikimin e tyre të pashlyeshëm në përpjekjet tona çlirimtare dhe shtet-formuese: Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Këta liderë, të cilët tani përballen me një tjetër betejë për Kosovën në Hagë, simbolizojnë pastërtinë dhe sakrificën e luftës sonë çlirimtare. Mungesën e tyre e di që e ndjejmë thellësisht të gjithë, veçanërisht kur jemi dëshmitarë të drejtimit në të cilin udhëheqja aktuale po e çon vendin tonë. Sfidat me të cilat përballemi sot janë një kujtesë e fortë e nevojës për një lidership shtetëror, i cili e ka dëshmuar veten se mund ta drejtojë vendin drejt zhvillimit dhe përparimit. Kosova sot ka nevojë për një lidership që kupton çmimin e lirisë, rëndësinë e unitetit dhe vlerën e shtetit dhe këtë lidership e guxim e ka vetëm PDK-ja, e cila është e gatshme të hapë një epokë të re për Kosovën,” tha Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i Degës së PDK-së në Belgjikë, Jetlir Llugani ka falënderuar delegatët për besimin e dhënë.

Lajmet Kreu i PDK-së në Belgjikë, flet për zgjedhjet në Kosovë >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>