KPK-ja “e dënon ashpër” kërcënimin ndaj u.d. i kryeprokurorit të Prizrenit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) kanë dënuar ashpër kërcënimin që është bërë ndaj ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu dhe ndaj organeve të sigurisë.
“KPK dhe ZKPSH deklarojnë se këto kërcënime janë të drejtuara edhe ndaj organeve të Policisë së Kosovës dhe organeve të ndjekjes dhe përmbajnë edhe ngjyrime dhe emërtime të individëve dhe organizata kriminale dhe duken qartazi se qëllimi i tyre është ndërhyrja në punët e Prokurorit të Shtetit dhe organeve të sigurisë së vendit. KPK dhe ZKPSH, gjithashtu, me këtë rast, ua bëjnë me dije individëve të tillë se përkrahin fuqishëm z. Kryeziu dhe organet e sigurisë, si dhe i mbështesin plotësisht në punën e misionin e tyre për ndjekjen dhe hetimin e kryeseve të veprave penale”, thuhet në reagim.
KPK-ja ka bërë të ditur se bashkë me Policinë po marrin hapat e nevojshëm ligjor për të identifikuar dhe arrestuar kërcënuesit e Kryeziut dhe përfaqësuesve të organeve të sigurisë.