Kosova në mesin e vendeve më të sigurta për të ecur vetëm natën
Përditësimi më i fundit vjetor i Gallup-it mbi sigurinë globale tregon se njerëzit në mbarë botën ndihen më të sigurt sot sesa një dekadë më parë, megjithatë shumë vende kanë një rrugë të gjatë për të bërë për të arritur “shoqëritë paqësore” që janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm.
Kështu thuhet në raportin e Gallup-it lidhur me sigurinë globale.
Kosova është renditur në mesin e 14 vendeve ku njerëzit ndihen më së shumti të sigurt duke ecur vetëm në rrugë gjatë natës. Sipas raportit mbi sigurinë globale, Kosova është renditur e 12-ta, në mesin e 14 vendeve.
pari është renditur Kuvajti, pastaj Singapori, Norvegjia, Arabia Saudite, Taxhikistani, Sllovenia etj.
Ndërkaq, në mesin e shteteve më të pasigurta për të ecur vetëm gjatë natës është Malawi, Kili, Ekuadori etj.
Sipas Gallup-it, në vitin 2023, 70% e të rriturve në mbarë botën thanë se ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën aty ku jetojnë, gjë që është dukshëm më e lartë se sa ishte një dekadë më parë dhe në shumicën e pikave në trendin gati 20-vjeçar të Gallup.
“Megjithatë, përparimi në këtë masë ka ngecur në vitet e fundit dhe pak më pak njerëz sot ndjehen të sigurt se në vitin 2020, kur një rekord prej 72% ndihej i sigurt”, thuhet tutje.
Sipas Gallup-it, në shumicën e vendeve dhe territoreve të zhvilluara ekonomikisht me sundim të fortë të ligjit, shumica e banorëve thanë se ndihen të sigurt duke ecur vetëm në zonat e tyre gjatë natës.
E njëjta gjë është e vërtetë në vendet ku popullsia është nën kontroll më të rreptë shtetëror.